Lajme

Kryemadhi, KQZ-së: Mos jepni mandate LSI-je! S’na përfaqësojnë

Lëvizja Socialiste për Integrim po përballet me rrjedhje të mëdha të kandidatëve, të cilët kanë pranuar të marrin mandatin e deputetit, duke refuzuar vendimin e marrë nga ana e opozitës. Për të shmangur këtë rrjedhje të mundshme nga radhët e LSI-së, ku deri më tani 8 kandidatë të saj kanë pranuar mandatin e deputetit, Kryemadhi i ka dërguar një letër zyrtare kryetarit të KQZ-së, Klement Zguri, duke i kërkuar që të mos i regjistrojë kandidatët si deputetë pasi ata janë përjashtuar nga anëtarësia e LSI-së.
Në të theksohet se Lëvizja Socialiste për Integrim me Vendimin Nr. 2 datë 22.02.2019 të Komitetit Drejtues Kombëtar të saj ka vendosur djegien e mandateve të deputetëve të Lëvizjes Socialiste për Integrim në Kuvendin e Shqipërisë dhe mos pjesëmarrjen përfundimtare të Lëvizjes Socialiste për Integrim në Kuvendin e Shqipërisë. Komiteti Drejtues Kombëtar ka vendosur çregjistrimin si anëtarë të Lëvizjes Socialiste të të gjithë kandidatëve për deputetë të listës shumëemërore të LSI-së të paraqitur prej saj për zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë të datës 25 qershor 2017, të cilët thyejnë vendimin politik të Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe pranojnë mandatin e deputetit.
“Çdo individ i listave shumëemërore të LSI, që pranon mandatin e deputetit nuk përfaqëson as formalisht as ligjërisht dhe as politikisht Lëvizjen Socialiste për Integrim, ndaj edhe dhënia e mandatit çdo njërit prej tyre është antikushtetuese dhe antiligjore, pasi në zgjedhjet politike të 25 qershorit në përputhje me Kushtetutën dhe Kodin Zgjedhor qytetarët shqiptarë kanë votuar për partitë politike dhe jo për individët. Rezultati i arritur nga Lëvizja Socialiste për Integrim i ka dhënë kësaj partie të drejtën ligjore, që në përputhje me ligjin, të zgjedhë nga lista shumëemërore e LSI përfaqësuesit e saj në parlament, bazuar në radhitjen në listën shumëemërore, të vendosur po nga LSI si parti politike, sipas autoritetit të përfaqësimit, që i jep asaj Kushtetuta dhe Kodi Zgjedhor”, shkruan Kryemadhi në letrën e saj.

Letra e kryetares së LSI, Kryemadhi drejtuar KQZ


Më tej ajo thekson se “përfundimisht ju bëjmë me dije se çdo mandat i dhënë nga KQZ nga lista shumëemërore e Lëvizjes Socialiste për Integrim nuk përfaqëson absolutisht këtë parti. Çdo individ, që pajiset me mandat deputeti nga KQZ nga kjo listë shumëemërore e LSI është i paligjshëm dhe nuk mund të përdorë në asnjë rast as vullnetin politik, por as atributet formale, ligjore dhe publike të përfaqësimit të Lëvizjes Socialiste për Integrim përfshirë këtu siglën, programin, statutin, emblemën, vulën dhe emrin e Lëvizjes Socialiste për Integrim”.
Ylli Shehi, Elda Hoti, Edmond Rrushi, Ralf Gjoni, Ediola Braha, Nimet Musaj, Edlira Hyseni dhe Enver Roshi janë emrat që kanë dalë kundër vendimit të LSI-së dhe janë të gatshëm të marrin mandatin e deputetit.


Koka: Jam pjesë e LSI-së… Por i kujtojnë përjashtimin

Deputeti i LSI-së, Lefter Koka refuzoi dorëzimin e mandatit duke dalë kundër vendimit të partisë që ai bën pjesë. Pavarësisht kësaj mosbindjeje, Koka në një prononcim për median ka deklaruar se vazhdon të jetë pjesë e LSI-së, duke shtuar se marrëdhëniet me kryetaren e LSI-së janë shumë të mira.
“Sigurisht që jam pjesë e LSI-së. Nuk kemi pasur kotakt nga ai moment kur vendimi im ishte i ndryshëm nga ai i grupit parlamentar. Ne me të vërtetë propozohemi nga një forcë politike sepse ashtu është Kodi, por secili në momentin që zgjidhet përfaqësohet në parlamentin shqiptar. Të gjithë në emër të popullit kanë marrë një vendim. Disa mos ta dorëzojnë mandatin, disa të tjerë për ta marrë dhe disa për t’u larguar. Kanë qenë dhe janë marrëdhënie shumë të mira”, deklaroi deputeti i Durrësit.


Ndërsa ka shprehur nevojën e ndryshimit të Kodit Zgjedhor, pasi sipas tij, situata është krijuar edhe për shkak të këtij ligji. “Ajo që është për të thënë dhe besoj që kërkon vëmendje të madhe nga anëtarët e Parlamentit, është rishikimi i Kodit Zgjedhor. Sot jemi kthyer qesharakë për shkak të këtij kodi. Nëse do të vazhdojnë deputetët t’u binden kryetarëve të partisë për t’i emëruar apo shkarkuar, unë mendoj se ky parlament do të humbë funksionin e tij. Ndaj, çdo nismë që do të bëjë përfaqësimin e qytetarëve shqiptarë në një mënyrë sa më të drejtë, do të ketë mbështetjen time dhe të deputetëve të opozitës”, theksoi Koka.
Deputeti i LSI-së ka deklaruar se Bashkia e Durrësit nuk është ambicie e tij politike. Pavarësisht se Koka shprehet se është pjesë e LSI-së, kjo parti nuk ka ngurruar që të shpërndajë vendimin për përjashtimin e të gjithë deputetëve dhe kandidatëve që refuzuan vendimin për të mos qenë pjesë e Parlamentit.

Vendimi i LSI-së për përjashtimin e “tradhtarëve” që marrin mandatin e Parlamentit


LSI shpërndau vendimin e Këshillit Drejtues të saj, ku bëhet i ditur çregjistrimi nga anëtarësia e LSI-së për kandidatët e regjistruar në listën shumemërore të LSI për Kuvendin e Shqipërisë datë 25 qershor, të cilët thyejnë vendimin politik të LSI-së për djegin e mandateve.
Ky vendim është marrë më 22 shkurt, i firmosur nga kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi. Ndërsa pas deklaratës së Kokës, ka reaguar sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Endrit Braimllari. “Lefter, po të sqaroj si Sekretar i Përgjthshëm se me veprimin tënd je i vetëpërjashtuar, pasi ke refuzuar që prej kohesh të marrësh pjesë në mbledhjet Grupit Parlamentar dhe të Kryesisë së LSI. LSI vendosi të mos jetë pjesë e Parlamentit të komanduar nga kriminelët dhe të paguar prej parave të drogës. Ndërsa ti ke zgjedhur të rrish aty dhe të përfitosh prej tij dhe kjo është zgjedhja jote dhe jo e LSI. Sa ishe pjesë e LSI nuk vije në Parlament, sot vendose të shkosh”, reagon Braimllari.
Ai thekson se “Lëvizja Socialiste për Integrim nuk do të jetë peng e interesave private të askujt, as të djegies se mëkatëve në inceneratorë, por do të luftojë deri në fund që Shqipërinë ta qeverisin shqiptarët dhe jo kriminelët”. “Kushdo në Shqipëri të përgjigjet përpara ligjit deri në fund për çdo abuzim apo përvetësim të parave të qytetarëve shqiptare”, thekson Braimllari.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë