Nga Berati, Lulzim Basha tha se me 16 mars të gjithë duhet të jenë në Tiranë për të rrëzuar qeverinë e korruptuar dhe të lidhur me krimin. Kreu i Partisë Demokratike u shpreh se opozita është në këtë betejë për ndryshim dhe jo për pushtet.
“Qeveria është kapur në afera të tmerrshme korruptive siç është ajo e Unazës së Tiranës. Rama vjen në pushtet me krimin, ju vjedh dhe më pas thotë mos flisni. Edi Ramës i kishte mbetur vetëm një vegël për të qeverisur, propaganda. Në 16 shkurt ju ja thyet këtë vegël. Nuk ka zgjidhje tjetër përveç zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Në Evropë nuk shkohet me krimin dhe me Shqipërinë si Kolumbia. Nuk shkohet në Evropë me politikanë që vjedhin. Nuk pranojmë që truri i këtij vendi të largohet dhe të ikin si klandestine”.
Ai tha se Rama është rrëzuar ‘de jure’ dhe se i ka orët e numëruara. “Shqipëria evropiane kërkon zgjedhje të lira dhe të ndershme. Nuk na duhet qeveria për barsoleta dhe batuta. Është hajdut i maskuar si kloun. Të bashkohet me ne në 16 mars kush do uljen e taksave, uljen e çmimit të energjisë, një ekonomi me taksa të ulëta dhe vende pune. Orët e kësaj bande hajdute janë të numëruara. Parlamenti i krimit ka marrë fund. Nuk do ketë falje për ata që kanë grabitur paratë tuaja. Jemi në këtë betejë për ndryshim dhe jo për pushtet në tavolinë”.
Kryemadhi-Ramës: Për 6 muaj na u lute për koalicion!
Kryetarja e Lëvizjes Socialsite për Integrim pretendon se Kryeministri Rama i është lutur LSI-së për koalicion.
Gjatë një takimi me qytetarët e Cërrikut, Monika Kryemadhi tha se LSI nuk pranoi, duke shpjeguar edhe arsyet.
“Vendimi ynë për djegien e mandateve nuk kishte të bënte me një vendim politik për të marrë pushtetin në tavolinë. Absolutisht! Ishim ne në pushtet, ishim në qeveri me Edi Ramën. Gjashtë muaj ju lut LSI-së Edi Rama, nga dhjetori deri në qershor për të bërë koalicion me ne. Por ne nuk pranuam. Nuk pranuam sepse kurrë nuk mund të pranonim të mbulonim erën e keqe që kishte mbuluar krimin e organizuar”, tha Kryetarja e LSI-së.
Kryemadhi theksoi se ajo që kërkon opozita është dënimi i të gjithë eksponentëve partiakë, që sipas saj, blenë votat së bashku me krimin e organizuar në zgjedhjet 2017-ës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




