Një ditë pas konfliktit të ashpër për një pronë në zonën pranë gjimnazit “Petro Nini Luarasi”, kreu i qeverisë Edi Rama komentoi në rubrikën “përgjigjia ime” se e njeh rastin prej kohësh, duke u shprehur se për të ka një vendim gjykate.
Rama theksoi se është apo jo i drejtë vendimi, për fat të keq është i pakundërshtueshëm, aq më tepër nga qeveria.
“Ata janë në konflikt me një palë tjetër. Pala tjetër e ka fituar me gjyq të drejtën e trashëgimisë së asaj banese. Ndërsa të zotët aktualë të shtëpisë, kanë humbur me vendim gjykate të formës së prerë të drejtën për të vazhuar të qëndrojnë në atë banesë, – shpjegoi kryeministri. – A është i drejtë vendimi i gjykatës? E kam thënë shpesh që, na pëlqejnë s’na pëlqejnë vendimet e gjykatave, nuk ka asnjë fuqi për ta zhbërë. Ajo që një qeveri mund të bëjë, është ta reformojë sistemin e drejtësisë”, tha Rama.
Kryeministri Rama kritikoi reagimin e policisë, duke thënë se ishte papërgatitur mirë për këtë rast. “Policia është e detyruar ta mbështesë përmbarimin në ekzekutimin e një vendimi gjyqësor të formës së prerë. Policia zbatoi ligjin dhe pikë. Por sjellja e saj nuk ishte as dinjitoze, as efikase, – u shpreh Rama. -Dukej që trupa ishte nisur pa asnjë përgatitje paraprake për një situatë sidoqoftë delikate, ku si përfundim u krijuan skena krejt të panevojshme me njerëz që shtriheshin në rrugë dhe uniformat blu që nuk dinin se çfarë të bënin, por rrinin dhe lëviznin në ato skena si një trupë pa kokë që krijonte veç acarim”.
Rama sqaroi edhe rolin e IKMT-së në këtë histori. “Thagma se IKMT ka vajtur tu prishë shtëpinë për llogari të një ndërtuesi që do bëjë pallat.. jo vetëm IKMT nuk ishte gjëkundi dhe as leje për pallat nuk është dhënë aty, por nuk ka ende as një plan të miratuar të zonës nga Bashkia. Bashkia i ka ofruar banesë sociale familjes që ka humbur gjyqin, e cila ka ndërtuar dhe një shtesë pa leje dhe kërkon legalizim në banesën që me vendim gjykate i takon dikujt tjetër”, vijoi kryeministri.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




