Politike

Kriza politike, Danielsson i BE-së dështoi me sukses

Mentor Kasa – Me agjendën dhe deklaratat që bëri në Tiranë, Drejtori i Zgjerimit në Bashkimin Europian, Christian Danielsson nuk kishte negociimin e krizës politike shqiptare si mision parësor, por edhe nëse do të ishte e kundërta, gjasat janë që edhe ai, ashtu si grupi i eurodeputetëve disa ditë më parë, të dështonte me sukses.

Ndalesën e parë në takimet zyrtare në Tiranë, suedezi e pati në Këshillin e Emërimeve në Drejtësi. Ai nënvizoi rëndësinë e këtij Këshilli për drejtësinë e re dhe theksoi nevojën për pavarësi dhe paanshmëri të këtij institucioni dhe me të drejtë, fundja, një pjesë e mirë parave që po derdhen për reformën janë të taksapaguesve europianë, të cilët Danielsson përfaqëson.

Megjithatë, zyrtari i BE-së e di që ngërçi politik i radhës në Tiranë nuk ndihmon në përdorimin sa më efikas të këtyre parave, ndaj dëgjoi edhe palët. Pas KED-së ai u takua me Kryeministrin Edi Rama. Nuk zgjati shumë dhe në përfundim nuk pati as një konferencë tradicionale për mediat.

Rama e kaloi në heshtje dhe nuk komentoi as në rrjetet sociale këtë takim. I vetmi koment ishin dy postime të shkurtëra të Danielsson në Twitter.

“Një bisedë e hapur me Kryeministrin Edi Rama mbi situatën politike dhe reformat. Shqipëria ka bërë progres në të gjitha fushat, veçanërisht në luftën kundër krimit dhe korrupsionit dhe bindës për qershorin, kur vendet anëtare të BE-së do të vlerësojnë përparimin e bërë”, shkruan ai.

Pas këtij takimi dhe këtij postimi, Danielsson priti në zyrat e Përfaqësisë së BE-së në Tiranë një delegacion të opozitës të kryesuar nga Lulzim Basha dhe Monika Kryemadhi që nuk ndajnë të njëjtin mendim mbi progresin e Shqipërisë të shprehur nga zyrtari i BE-së përmes rrjeteve sociale.

Se çfarë është diskutuar konkretisht në këtë takim nuk ka asnjë njoftim, por një sinjal që ka qenë një bisedë e vështirë është kohëzgjatja. Lulzim Basha dhe Monika Kryemadhi dolën pas rreth 1 orë e gjysmë nga takimi me Danielsson dhe pyetjes së gazetarit të Top Channel, Muhamed Veliu nëse kishte patur ndonjë kërkesë specifike nga ana e zyrtarit të BE-së, Kreu i PD iu kthye ashpër.

“Pati kërkesë specifike që Top Channel të jetë më objektiv. Bëj shaka, por shakaja është gjysma e të vërtetës”, deklaroi ai.

Duke lënë menjanë shakatë, kreu i PD-së tha se takimin e kishte shfrytëzuar për të denoncuar atë që e quajti regjim të Edi Ramës.

“Një autokrat i korruptuar, i lidhur me krimin, të kapur në përgjimet zyrtare të prokurorisë shqiptare, i cili po shkatërron reformën në drejtësi që të mbrojë veten e tij, ministrat e tij dhe kriminelët me të cilët ka blerë zgjedhjet e vitit 2017. Ky është thelbi i të keqes”, u shpreh Basha.

https://www.facebook.com/lulzimbasha.al/videos/155782808682582/

Takimi nuk lëkundi qëndrimin e opozitës së bashkuar dhe sipas Bashës, ishte edhe një mundësi për të shprehur vendosmërinë e vazhdimit të betejës deri në largimin e Edi Ramës e për ta thelluar në ndryshimin e sistemit. Kur foli për ndryshim sistemi, Lulzim Basha përfshiu për herë të parë edhe ndryshimet kushtetuese dhe të Kodit Zgjedhor të 2008 si pasojë e paktit Berisha-Rama.

“Na duhet që të shembim këtë sistem, duke përfshirë këtu edhe disa probleme të lindura që në vitin 2008 me ndryshimet kushtetuese që zhbalancuan kontrollin dhe balancën e pushteteve, me qëllimin e mirë për të larguar kandidatët kriminelë nga zonat mazhoritare, përqendruan pushtet në duart e kryetarëve të partisë, të cilët më pas çuan në 2013 dhe 2017 në numrin më të lartë të kriminelëve në Parlament”, tha ai.

Si hap të parë për të dalë nga kjo situatë, kreu i PD-së sheh hetimin e plotë të dosjes 339 të Durrësit dhe asaj 184 të Dibrës. “Dhe çuarja para përgjegjësisë penale e politikanëve që kanë vjedhur votat bashkë me krimin e organizuar janë po aq të rëndësishme sa ndryshimet në ligj që shkruhen dhe më pas nuk zbatohen”, deklaron Basha.

Kreu i PD-së e krahasoi situatën në vendin tonë me atë që po ndodh në Venezuelë dhe tha se Shqipëria nuk ka asnjë mundësi që të shkojë në Europë në këtë mënyrë.

Këto ishin përgjigjet e Bashës pas takimit me Danielsson, ndërsa një panoramë më të plotë se sa larg kanë qenë palët gjatë bisedimeve e tha vetë Drejtori për Zgjerimin në Bashkimin Europian në konferencën për mediat.

Në këtë konferencë ai përforcoi bindjen se parësore në këtë vizitë, të paktën publikisht kishte reformën në drejtësi dhe i kujtoi edhe njëherë tjetër klasës politike që qershori është afër. “Atëherë do të diskutohet ecuria e Shqipërisë mbi disa reforma kyçe. Kemi kërkuar në të shkuarën që integrimin, forcat politike ta kenë mision të përbashkët”, tha Danielsson.

Zyrtari i BE-së nuk iu referua asnjëherë opozitës, por e nënkuptoi qartë se qortimet shkonin për të kur kërkoi përgjegjshmëri në aksionet politike. “Forcat politike të marrin vendime të përgjegjshme që do ta lejojnë Shqipërinë që të marrë rezultatet nga reforma. Përgjegjshmëria është e vetmja mënyrë”, tha ai.

Danielsson u kujdes që në komentet e bëra të ruante të njëjtën linjë të shprehur deri më tani nga zyrtarë të tjerë, edhe më të lartë se ai në Bruksel. Foli thuajse me të njëjtat terma, për të qortuar dorëheqjet nga mandatet e opozitës.

“Minohet rrugëtimi drejt integrimit. Normaliteti i jetës politike duhet restauruar dhe Parlamenti është shtylla e demokracisë. Duhen krijuar kushtet që të ndodhë dialogu në Kuvend. Bojkoti është kundërproduktiv dhe minon reformat”, deklaroi suedezi.

Danielsson bëri thirrje për vetëpërmbajtje dhe shmangien e dhunës nëpër protesta. Sa u takon negociatave, u shpreh i kënaqur me ecurinë e Shqipërisë, ku theksin e vuri tek reforma në drejtësi, por nuk dha asnjë garanci se në fund të gjitha vendet anëtare do të japin dritën jeshile për hapjen e tyre.

Pas konferencës, Christian Danielsson postoi në rrjetet sociale përshtypjet nga takimi me drejtuesit opozitarë. Nëse takimin me Ramën e cilësoi “të hapur”, takimin me Bashën e Kryemadhin e vlerësoi “konstruktiv”.

Shqipëria ka shumë sfida, por e vetmja rrugë demokratike për t’i zgjidhur ato mbetet angazhimi në Parlament. Nxitja e akteve të dhunës në protesta është absolutisht e papranueshme”, shkruan ai.

E me këtë postim, Danielsson, që reagimin e parë pas zbritjes në Rinas kishte fjalët “i lumtur që rikthehem në Tiranë”, mbylli qëndrimin e tij të shkurtër në Shqipëri pa ja dalë dot mbanë që në mos të bëjë bashkë, të paktën të marrë ndonjë sinjal nga politika shqiptare se do të dialogojë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë