Lajme

Rama mbyll “turin” italian: Pastrova baltën e opozitës

Kryeministri Rama ka përfunduar vizitën 24-orëshe në Itali dhe ka njoftuar se do të kthehet në Shqipëri. Përmes “Twiterit”, kreu i qeverisë komenton se ka dhënë disa intervista në mediet e vendit fqinj për të pastruar, siç thotë ai, “baltën e lidershipit qorr të opozitës”.

“Për Tiranë pas 24h në Romë, tv më tv e gazetë më gazetë, për të pastruar sa mundej baltën e ziftin që lidershipi qorr i opozitës sonë, i hodhi ndërkombëtarisht Shqipërisë! Ata nxisin dhunë për hesapin e tyre krejt vetjak, po faturën e paguan vendi dhe ekonomia #HumbësaPaDinjitet”, shkruan Rama në rrjetin social.

Mbrëmjen e sotme, shefi i qeverisë është shfaqur në një kronikë të zgjeruar lajmesh të TG5, ku sërish tha se kërkon të përmirësojë imazhin e Shqipërisë në sytë e italianëve pas protestave të opozitës.

“Kohët kanë ndryshuar radikalisht, ne jemi në një periudhë rritjeje të rëndësishme. Kemi nivelin më të ulët të papunësisë në 27 vjet, po rritemi kryesisht në sektorin e Turizmit, 1.5 milionë turistë italianë kishim vitin që shkoi, duam ta kalojmë këtë shifër. Ndaj jam sot në Itali për t’ju thënë italianëve se ato imazhet negative janë pjesë e një proteste që zhvillohen brenda një km. Jashtë këtyre protestave jeta vazhdon”, tha Rama.

Kryesocialisti ka mohuar që kjo është një protest e organizuar nga populli, duke shpjeguar: “Është një revoltë e establishmentit të vjetër që është përzënë para 5 vitesh me 1 milion vota, dhe që la pas një shtet me probleme të mëdha, që sot atakohemi ne. Patjetër që kemi shumë sfida, Shqipëria nuk është vend pa probleme, por jemi në rrugën e duhur. Kemi një mandat, kemi detyrë ndaj qytetarëve, nuk mund të themi tani anulojmë lojën, dhe ta nisim nga zero, duke iu lënë kundërshtarëve formacionin që duan me qëllim që të fitojnë ndeshjen”.

https://twitter.com/ediramaal/status/1103386932971798528

Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë