Autoriteti Rrugor Shqiptar ka njoftuar ditën e sotme mbylljen të një nga urave më të vjetra në vend për shkak të rrezikut nga shembja.
Bëhet fjalë për urën e vjetër automobilistike në aksin e kryqëzimit Çermë-Rrogozhine mbi lumin Shkumbin, e cila paraqet probleme konstruktive në themelet e saj.
Identifikimi i problematikave në këtë urë, u bë pas një Inspektimi dhe kontrolli që ARRSH u bëri urave të vjetra, të cilat janë bërë rast denoncimi nga qytetarët për shkak të amortizimit që kanë pësuar në vite.
“Ura e vjetër automobilistike në aksin e kryqëzimit Çermë-Rrogozhinë mbi lumin Shkumbin paraqet probleme konstruktive në themelet e saj, të cilat janë ekspozuar si rezultat i gërryerjeve për shkak të ngushtimit të shtratit të lumit”, - thotë ARRSH në njoftimin e saj.
Si rezultat i këtyre problemeve ARRSH ka vendosur që ura të mbyllet përkohësisht deri në marrjen e masave për rehabilitimin e themeleve, me qëllim parandalimin e situatave që mund të krijohen nga lëvizshmeria në këtë aks.
Po ashtu, ARRSH njofton të gjithë qytetarët që është miratuar plani i lëvizjes së mjeteve në rrugë alternative.
“ARRSH në bashkëpunim me drejtorinë e hekurudhës do hartojnë projektin për ndërhyrjen në themelet e urës si dhe zgjerimin e shtratit duke pastruar mbetjet e ngurta urbane të hedhura ndër vite”, - vijon njoftimi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.