Edlira Hyseni ka pranuar të marrë mandatin e deputetes në qarkun e Durrësit nën siglën e LSI-së. Me një startus në “Fb”, ajo shpjegon vendimin e saj dhe arsyet pse ka dalë kundër vendimit të partisë.
Ajo thotë se kanë qenë fjalët e të birit që e kanë shtyrë të marrë mandatin, dhe se ajo ka lindur dhe do të mbesë opozitare. Hyseni shprehet se është privilegj për të që tiu shërbejë qytetarëve të Durrësit.
Postimi i plotë i Hysenit
“Ti mam, duhet ta pranosh atë mandat, sepse partitë i bëjnë njerëzit e kush të njeh, e di se ti zgjedh me zemër, se ti ke ngritur një jete mbi punën” – : me tha Kevin, im bir, vetëm 19 vjeç. Kevin më tregoi edhe këtë herë, se fëmijët tanë janë një brez i bukur, mbushur plot besim e shpresë, një brez që meriton të zgjedh të ardhmen e tij në Shqipëri!
Po, unë do ta pranoj mandatin për deputete e Qarkut Durrës në Kuvendin e Shqipërisë, që mbase rastësia a mbase diçka më shumë e solli si mundësi reale në udhën time.
Do ta pranoj, sepse besoj që ndryshimet vijnë me njerezit, dhe nëse nuk nisim të gjithë nga pak të bëjmë ndryshimin që presim, nuk mund të ankohemi për askënd tjetër!
Do ta pranoj, sepse u kam kërkuar mbështetje dhe votë çdo bashkëqytetarit tim kam njohur e takuar, duke u premtuar të isha një prej tyre, kudo të shkoja dhe çfarëdo mundësie të me jepej për më shumë!
Do ta pranoj, sepse besoj tek demokracia, liria dhe respekti i vullnetit të çdo pale, kur me votë kanë zgjedhur e veç me votë le të vijë ndryshimi!
Do ta pranoj, me shpresën për të dhënë sadopak besim tek brezi im, që ëndërruam vërtet një Shqipëri si gjithë Evropa, studiuam, punuam, pritëm dhe sot po hedhim sytë drejt emigrimit!
Do ta pranoj, sepse besoj tek mirënjohja dhe miqësia e kjo zgjedhje ka lidhje dhe me të!
Do ta pranoj për dashurinë e pafundme që kam për Durrësin tim dhe për krenarinë e origjinës time çcame!
E pranoj këtë angazhim si një punë, një përgjegjësi, një deshirë, një sfidë dhe i lutem Zotit të më ndihmojë për të nderuar veten dhe të gjithë ju që besoni tek unë!
Unë nuk di të them sa e meritoj këtë privilegj, sa do mundem ta bëj mirë, por nëse mendja, zemra e profesioni im do shërbejnë sado pak në të mirë të këtij vendit tonë dhe do inkurajojnë njerëzit si unë e më të mirë se unë, të afrohen tek politika, do them se kjo zgjedhje ka vlejtur!
Uroj t’ju kem krahë e mbështetje, përtej çdo ngjyre apo bindje politike, siç keni qenë përherë në përpjekjet e mia, për një jetë më të mirë në qytetin që duam, në keto 4 vite përfaqësie në Këshillin Bashkiak të Durrësit.
Dhe … Opozitare kam lindur, politikane s’e di ende …
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




