Kur u nis drejt zyrave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Lulzim Basha mori me vete sëbashku me turmën edhe emrat e kandidatëve të Partisë Demokratike që kishin refuzuar marrjen e mandateve të lëna bosh në Parlament.
Lëvizja ishte simbolike për të treguar se opozita ishte e bashkuar dhe e vendosur për ta çuar deri në fund vendimin e saj për të djegur mandatet, si pjesë e strategjisë për të rrëzuar Edi Ramën. Por, uniteti nuk pasqyrohet tek numrat, të paktën deri më tani.
Zyrtarisht, refuzimi i marrjes së mandateve është bërë nga 103 kandidatë të Partisë Demokratike, nga lista me 194 emra që kjo parti garoi në zgjedhjet e 2017. Prej këtyre, 41 deputetë u dorëhoqën, Myslim Murrizi dhe Rudina Hajdari refuzuan dorëheqjen dhe atyre u shtohen edhe Ligoraq Karamelo, Majlinda Halilaj dhe Lefter Maliqi. Në përfundim, tani janë 45 emra nga listat e demokratëve që as kanë dorëzuar kërkesën për refuzim mandati dhe as formularin e dekriminalizimit për marrjen e mandatit në KQZ.
Nga radhët e LSI-së, jozyrtarisht thuhet se janë dorëzuar 75 kërkesa refuzuese të marrjes së mandateve në KQZ nga lista totale me 146 kandidatë. Katër prej tyre u betuan dhe e morën detyrën, ndërsa tre të tjerë kanë dorëzuar në KQZ formularin e dekriminalizimit. Duke u shtuar këtyre edhe emrin e Lefter Kokës, numri i rrjedhjeve nga LSI shkon në 8. Si përfundim, nga listat e kësaj partie janë 63 emra ende të pavendosur, që nuk kanë dorëzuar as heqjen dorë nga marrja e mandatit dhe as formular dekriminalizimi në KQZ.
Si emrat e listës së PD-së, ashtu edhe ata të listës së LSI-së, kanë 30 ditë kohë duke filluar që nga 21 shkurti dhe janë ende brenda afateve ligjore, si për marrjen e madatit, ashtu edhe për refuzimin e tij. Numrat që nuk kanë vendosur ende janë të mjaftueshëm për të plotësuar të gjitha ulëset e lëna bosh deri më tani nga opozita në Kuvend, ndërkohë që mbetet për t’u parë në ditët në vazhdim nëse do të ketë apo do të ndalen rrjedhjet në radhët e opozitës, apo ato do të frenohen.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.