Protesta e 16 marsit ka vënë në lëvizje strukturat e partive të opozitës. Drejtuesit kryesorë të PD-së dhe të LSI-së po zhvillojnë takime me strukturat nëpër qytete të ndryshme të Shqipërisë me qëllimin për t’i bërë thirrje që më 16 mars të jenë sa më shumë të pranishëm në Tiranë, në protestën e radhës përpara Kryeministrisë.
Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi zhvilloi sot një takim me strukturat e LSI-së në bashkinë e Fierit. Gjatë fjalës së saj Kryemadhi theksoi se mbështetja ndërkombëtare për kryeministrin Rama është zero, duke sjellë në vëmendje që prej 8 muajsh, asnjë kryeministër i BE nuk ka pritur atë.
“Të jeni të bindur që përkrahja ndërkombëtare ndaj Edi Ramës është zero. Mos të them që është agresive. Keni dëgjuar deklarata të ndryshme, jo ky eurodeputeti këtu, jo ky eurodeputeti atje. As mos u sugjestiononi fare. Asgjë nuk janë. Deklarata të paguara, të bëra qoka, për t’u përkthyer në përkrahje për eurodeputetë, diku me koncesione diku me para e diku me shërbime në natyrë. Më thoni në 8 muaj apo në vitin e fundit çfarë takimi zyrtar ka pasur Edi Rama si Kryeministër, me një Kryeministër të kujtdo shteti tjetër të BE-së. Mbani mend ndonjë takim? Asgjëkund. Është gati të bëjë çdo gjë vetëm të bëjë një fotografi me dikë. Nuk vajti në Amerikë, as në Gjermani, as në Francë, as në Itali, kudo në asnjë vend të BE-së. Pse? Sepse mos kujtoni që nuk na do asnjë njeri sot, sepse Shqipëria është kthyer në kështjellën e krimit të organizuar, ku trafikantët e drogës dhe kriminelët ndërkombëtarë bëjnë krime në qytetet dhe kryeqytetet e Europës dhe gjejnë mburojën dhe sigurinë në drejtësi, në polici, në shtet nga qeveria e Edi Ramës”, tha Kryemadhi.
Kryetarja e LSI-së zhvilloi takim edhe në Roskovec. Kryemadhi tha se jo vetëm në Roskovec, por në të gjithë qarkun e Fierit që njihet si bastion i së majtës është e dukshme pakënaqësia dhe zemërimi i madh që qytetarët kanë me këtë qeveri, që vetëm po i zhyt çdo ditë në varfëri dhe mjerim.
“E vetmja mënyrë është për tu zgjuar dhe për të mos ndaluar më. Sot Rilindja nuk përfaqëson më Partinë Socialiste. Për këtë të jeni të bindur. Ne sot jemi në Roskovec dhe i gjithë qarku Fierit është një nga qarqet që quhet bastioni i së majtës. Por unë pakënaqësinë dhe zemërimin më të madh se sa kam parë në qarkun e Fierit nuk e kam parë as me deputetët e Partisë Socialiste që janë në sallë, të cilët ndihen të intimiduar, të frustuar dhe të nënshtruar. Një zemërim të paparë, të cilët mezi po presin të shpërthejnë”, tha Kryemadhi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




