Lajme

Kryemadhi: Në fund të majit do ketë zgjedhje të parakohshme

Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi ka parashikuar se në fund të muajit maj do të ketë zgjedhje të paarakohshme.

Ajo ka sulmuar sërish ndërkombëtarët, të cilët sipas saj erdhën ditën e djeshme për t’i bërë qokën e fundit qeverisë Rama.

“Votat e LSI-së janë të lidhura me miqësinë dhe solidaritetin. Zgjedhjet do të jenë në fund të majit. Zgjedhjet parlamentare do të jenë të parakohshme, pasi do të jenë socialistët që do ta vendosin në cep Ramën pastaj e gjithë shoqërinë shqiptare”, deklaroi ajo para të rinjve të kësaj partie në njësinë numër dy në Tiranë.

Në fjalën e mbajtur, Kryemadhi deklaroi se opozita do të protestojë në çdo moment që të mblidhet parlamenti, për të penguar sipas saj kriminelet që kanë marrë peng shtetin.

Ajo shtoi se votat e LSI-së janë marrë me sakrificë dhe solidaritet, ndryshe nga mënyrat që ka përdorur mazhoranca për të fituar.

“Mos u habisni kur t’u thotë tani se jam Zoti juaj. Puna jonë tani është me njerëzit, s’ka më parlament. 94% e shqiptarëve mendojnë se Shqipëria është më e varfër sesa ka qenë. Edhe ne kemi kusuret tona, por kemi shansin t’i rregullojmë. Do të thoni ju, pse doni zgjedhje të reja? Minimumi janë 5 deputetë që vijnë në parlament me paratë e trafikantëve të drogës. Ka ndërkombëtarë që nuk i kuptojnë mos u shqetësoni, por ka ndërkombëtarë dhe institucione. Ne kurrë nuk do të bëjmë marrëveshje me individë, por shtet me shtet. Asnjë qeveri e BE-së nuk përkrah qeverinë e Ramës, apo reformat e dështuara. Prandaj mos i surprizoni nga deklarata që vijnë për të marrë qokën e fundit në Shqipëri”.

Ajo deklaroi se 94% e shqiptarëve, mendojnë se sot Shqipëria është më e varfër se çka qenë dhe janë të pakënaqur me qeverinë, “e cila ka shtrenjtuar koston e jetesës së tyre”.

Kryemadhi iu referua rezultateve të disa sondazheve. “Të jeni të bindur që 94% e shqiptarëve meqë flitet për sondazhet dhe po jua them unë që bëjmë dhe ne sondazhe dhe i bëjmë sondazhet shumë të mira. 94% e shqiptarëve mendojnë që Shqipëria është më e varfër se ç’ka qenë. 94% e shqiptarëve besojnë që jeta e tyre është më e shtrenjtë se ç’ka qenë, çka do të thotë se dhe socialistët edhe ata që nuk votojnë kurrë, mendojnë si ne. Prandaj detyra juaj është që t’i zgjojmë, t’i sensibilizojmë, t’u flasim për LSI”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë