Lajme

“Rai” udhëton në jug të Shqipërisë: Kanabisi ka përfunduar në Bruksel

Mediat italiane vazhdojnë t’i bëjnë jehonë fenomenit të kultivimit dhe trafikimit të drogës nga Shqipëria drejt Europës.

Këtë herë është televizioni shtetëror italian Rai, ai që i ka kushtuar një reportazh çështjes së kanabisit në jug të vendit.

Gazetarja Laura Tangherlini ka udhëtuar për në Lazarat dhe Tepelenë për të prekur nga afër çështjet e drogës. Teksa shkon në Lazarat, gazetarja thotë se dikur ishte zonë e drogës, ndërsa tani gati-gati është një vend fantazmë.

“Jeta këtu është përkeqësuar shumë. Më parë ishte e zhvilluar bujqësia, tani tokat kanë mbetur djerrë. Tani s’ka punë për asnjë. Fajin e kanë politikanët që thonë mos bëni atë që bëjmë ne. Ata thonë bëni çfarë ju themi ne”, thotë një banor.

“Në vërtetë jetonim më mirë, por bënë mirë që e hoqën hashashin. Megjithatë mënyra se si policia ndërhyri ishte shumë brutale. Ishte e vërtetë që kishte fitim, por shkonte tek politikanët dhe tek të tjerët. Ne na mbeteshin vetëm thërrime”, thotë një tjetër.

Gazetarja e Rai-t vazhdon xhiron e saj nëpër fshat edhe gjen disa tunele që përdoreshin si magazina për drogën, të cilat tani kanë mbetur bosh. “Aty shohim vetëm pula”, shprehet ajo.

Tangherlini vijon: “E ndërsa shohim me vëmendje magazinat e braktisura takojmë pronarin e tyre. Ai na thotë se ky biznes vazhdon, mund t’i gjejmë shenjat diku në Tepelenë”.

Tangherlini niset për në fshatrat e Tepelenës. “Ka mbaruar droga këtu, kishte para dy vitesh”, i thotë një banor i zonës.

“Ai na jep fjalën që ka ende magazina droge, shkon të flasë me një mikun e tij që të na e tregojë, por kthehet duarbosh. Ka ndryshuar mendje. Miku i tij nuk do të flasë, madje e ka kërcënuar të mbyllë gojën”. Rrugëtimi i gazetares vazhdon në tre fshatra të tjera të Tepelenës, përgjigjet janë pothuajse të njëjta.

“Një banor tjetër më tregon me gisht malin për të na thënë se pikërisht atje ishin plantacionet e drogës. Ndërsa një tjetër na thotë se droga nuk është më këtu. Ka përfunduar në Bruksel”, thotë gazetarja.

E pavarësisht këtyre dëshmive, gazetarja italiane arrin të gjejë një furnitor që i sjell një qese me hashash. Ai tregon se droga ka qëndruar rreth një vit në shtëpinë e tij, pasi nuk ka pasur treg shitjeje.

Ky është rasti i dytë brenda një afati të shkurtër kohor, kur mediat italiane futen mes plantacioneve ku kultivohet dhe trafikohet drogë në Shqipëri. Një javë më parë, një tjetër grup xhirimi i Rai-t, transmetoi një reportazh, ku një trafikant droge në Shijak tregonte se me paratë e e fituara blihej pushteti në Shqipëri.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë