Lajme

Tërhiqet nga gara një ditë para zgjedhjeve të reja kreu i KMSH

Një ditë para zgjedhjeve për kreun e ri të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, kryetari aktual Skënder Bruçaj ka vendosur të tërhiqet nga gara për një mandat të dytë në krye të këtij institucioni.

Aktualisht, në garë kanë mbetur Bujar Spahiu, nënkryetar i KMSH-së prej 10 vitesh, Ylli Gurra, Myfti i Tiranës, Islam Hoxha, Myfti i Kukësit dhe Gramos Blliku, myfti i Lushnjës. Kandidatura e Gëzim Abdishahit, imam i Golemit, ka rënë pasi sipas komisionit nuk plotëson pikën 3 të nenit 26 të statutit.

Ndërkohë, ish-deputeti i Partisë Demokratike, Genc Pollo thotë në një status në “Fb” se Bruçaj është tërhequr nga gara për shkak të presionit të Presidentit të Turqisë. Ai e konsideron veprimin si “një presion kuisling (është term i përdorur ndaj atyre që vihen në shërbim të pushtuesve) të qeverisë mbi Komunitetin Mysliman.

“Presion kuisling i qeverisë mbi Komunitetin Mysliman. Duan të eliminojnë ata që nuk kontrollojnë. Për t’a servirur kokën e KMSh në sini të argjendtë. Uroj që asambleja e myftinjve shqiptarë të ruajë dinjitetin, orientimin e të refuzojë çdo kalë troje”, – shkruan Pollo.

Edhe ish-deputeti demokrat, Ervin Salianji denoncoi më herët ndërhyrjen e qeverisë në zgjedhjet për kreun e KMSH-së.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë