Saimir Tahiri u tha gazetarëve që të mos lodheshin kot e të dëshifronin mesazhe të koduara që mund të përcillte për klasën politike. Ai foli pasi u njoh me akuzat e prokurorisë, ku dy ishin më të rëndat, ajo e trafikut të drogës dhe e krijimit të grupit të strukturuar kriminal.
“Nuk më vjen ndërmend njeri tjetër, por pas Aldo Bares jam i dyti me këto akuza”, ironizoi ish-ministri, që më pas shpërtheu në akuza ndaj prokurorisë, që e cilësoi të komanduar dhe të kapur nga krimi e politika.
“Kjo historia ime lindi si proces politik dhe kur them i komanduar kam parasysh politikën, krimin dhe drejtësinë që janë aq bashkë sa ç’është edhe Ati, Biri dhe Shpirti i Shenjtë”, tha ai.
S’e kush është ati, cili është biri dhe cili shpirti i shenjtë, ish-ministri i Brendshëm nuk e sqaroi. Por, ndoshta pa vetëdije ai e përçoi një mesazh të koduar, jo me fjalë, por me dyzimin për të folur me bindje se nga kush krah i politikës po komandohej prokuroria në akuzat e ngritura kundër tij.
Në tetor të 2017, prokurorët Besim Hajdarmataj, Elisabeta Imeraj dhe Gentjan Osmani kërkonin heqjen e imunitetit dhe masën e arrestit me burg. Saimir Tahiri nënkuptonte me bindje se akuzat ishin të motivuara politikisht nga Partia Demokratike. Tani kjo bindje i ishte zhdukur.
Çfarë ka ndryshuar? Së pari, vetëm prokurori Gentjan Osmani ka mbetur nga grupi i prokurorëve që nisën hetimet për këtë dosje. Ai bashkëheton me Dritan Prençin, Vladimir Maran dhe Arens Çelën. Osmani dhe Prençi e kanë kaluar që të dy vettingun, ndërkohë që Mara dhe Çela ende jo.
Një tjetër lidhje e tërthortë është se dy prej prokurorëve që ngritën zyrtarisht akuzat ndaj Saimir Tahirit janë edhe pjesë e dosjes së famshme që po trazon politikën shqiptare. Bëhet fjalë për dosjen “339”, që po hetohet nga Dritan Prençi dhe Vladimir Mara. Këta dy të fundit rrëzuan akuzat e PD-së përpara Komisionit të Pavarur të Kualifikimit mbi dyshimet se kishte përgjime mes Donika Prelës dhe grupit të Avdylajve.
Kur u pyet drejtpërdrejtë nëse kishte ndonjë material shantazhues të siguruar përgjatë katër viteve si ministër i Brendshëm, Saimir Tahiri s’e mohoi drejtpërdrejtë, por u përgjigj me takt duke risjellë në kujtesë çantën e zezë të Spartak Brahos.
Në fakt, sa herë që rikthehen akuza të vjetra e shqiptohen të reja, bashkë me to rikthehet edhe çanta e Baba Takut, duke qarkulluar më shumë si legjendë e barcaletë në korridoret e politikës shqiptare se sa si e vërtetë.
Por, në fund të tetorit të 2017, kur akuzat ndaj tij sapo ishin masivizuar, ish-ministri i Brendshëm shprehej në intervista se kishte “prova e fakte të tmerrshme” ndaj Sali Berishës e familjes së tij, e po ashtu shpërthente në akuza ndaj Lulzim Bashës dhe Ilir Metës.
Në daljen e fundit, Saimir Tahiri foli edhe më ashpër ndaj organit të akuzës, por nuk përmendi asnjë emër. Megjithatë, në të shkuarën nuk e ka kursyer “hatërmbetjen” me Edi Ramën. Një prej komenteve të para të bëra prej tij pas zyrtarizimit të akuzave ishin fjalët “S’keni parë gjë akoma”, fjalë të përdorura Kryeministri Edi Rama drejtuar opozitës shpesh në debatet e ndezura në Parlament gjatë kalimit të ligjeve për reformën në drejtësi.
Tahiri “refuzoi” mbështetjen e Ramës dhe këmbënguli se për të rëndësi ka vetëm e vërteta. I bindur në pafajësinë e vet, ish-ministri kujtoi edhe mbylljen e hetimeve nga prokuroria italiane, e cila sipas tij, nuk gjeti pikën e lidhjes mes tij dhe trafikut të drogës prej Habilajve.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




