Lajme

Basha nuk tërhiqet: Nuk do të ketë një pakt të dytë me Ramën

Kreu i opozitës Lulzim Basha ka folur pas takimit me eurodeputetët e PE-së për krizën politike në të cilët ndodhet Shqipëria. Ai tha se të huajt janë të keqinformuar, ose janë të painformuar dhe për këtë e gjen fajin te Edi Rama. Sipas Bashës, kryeministri Rama ka futur në lojë makinerinë e propagandës ku gjithçka shkon mirë.

“Natyrisht një nga problemet më të mëdha që ka vendi është mungesa e informacionit dhe dezinformimi. Ishte me rëndësi që të flisnim hapur dhe shkoqur me miqtë tanë dhe t’u shpjegonim atyre gjendjen ku ndodhet vendi dhe se opozitës nuk i është lënë asnjë mundësi tjetër ose të bëhet njësh me krimin dhe oligarkinë ose t’u tregojë shqiptarëve se ky sistem ka rënë”, – tha ai.

Basha përmendi tre kushtet për rikthimin e normalitetit politik në vend. Ai iu përgjigj edhe deklaratave të ndërkombëtarëve për ruajtjen e stabilitetit në vend.

“Largimi i Edi Ramës, një qeveri e përkohshme tranzitore dhe zgjedhje të lira dhe të ndershme, janë rruga për rikthimin e legjitimitetit politik të institucioneve në mënyrë që të zgjidhen nga njerëzit dhe të punojnë për njerëzit, – theksoi kreu i PD. – Në këtë fazë të rëndësishme ku ndodhet vendi ynë, në këtë fazë ku synohet çelja e negociatave për t’u bërë anëtar i Bashkimit Evropian, detyra jonë është t’ju shpjegojmë se përqasja e stabilitetit mbi demokracinë ka dështuar dhe si rezultat i tolerimit të Edi Ramës, për futjen e kriminelëve në Parlament në vitin 2013, mbjelljen e kanabisit në vitin 2015, kalimi nga marihuana tek heroina dhe kokaina, tani tek pastrimi i parave dhe kthimi i krimit të organizuar në faktor vendimtar në procesin elektoral, ka shkatërruar stabilitetin e vendit”.

Basha shtoi se nuk ka asnjë komunikim me Ramën dhe premtoi se nuk do të ketë më marrëveshje si ajo e para dy viteve: ““Nuk ka asnjë komunikim mes meje dhe Ramës, komunikimi i vetëm është ai i qytetarëve shqiptarë, nuk do ketë një 2017 tjetër me Ramën, ai e mori 2017-ën për të shmangur përplasjen civile në vend dhe e ktheu në dosjen “339”, me krimin e organizuar që mori pushtetin. E vetmja zgjidhje është një qeveri tranzitore pa Edi Ramën”.

Shqetësim i ndërkombëtarëve është stabiliteti i vendit. Zgjidhja është largimi i Ramës, zgjedhje te parakohshme dhe qeveri tranzitore”.

Ndërsa kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi, deklaroi se nuk do të ketë asnjë tërheqje të opozitës nga beteja që ka nisur: “Nuk ka asnjë hap pas. Shqiptarët janë mandatet tona më të pastra. Protestat treguan se opozita është në rrugën e duhur. Gjëra të bukura do vijnë për shqiptarët. Ju kërkojmë ndjesë gazetarëve dhe popullit për gazin helmues që garda lëshoi dje”, tha ajo.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë