Gjykata për Krimet e Rënda i vendosi afat Prokurorisë deri më 12 mars që të mbyllte hetimet dhe të dorëzonte për gjykim dosjen në ngarkim të ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri.
Vendimi i Gjykatës u mor pas kërkesës së vetë Tahirit, që pas vendimit të prokurorisë për të zgjatur për herë të pestë afatin hetimor dorëzoi një kërkesë kundër këtij vendimit të organit të akuzës.
“Gjithçka që po ndodh e ka kapërcyer çdo limit të kohës kur mund të bëhet një hetim. Një gjendje e tillë mjegullnaje nuk mund të vijojë më. Hetimet janë zgjatur pesë herë, ka kaluar çdo afat i arsyeshëm, zgjedhja duhet të marrë zgjidhje në një mënyrë apo tjetër. Drejtësia e vonuar nuk është më drejtësi, e nëse kjo ndodh me mua, imagjinoni se çfarë ndodh me të tjerët, që përplasen para gjykatave”, deklaronte në fillim të këtij muaji ish-ministri i Brendshëm.

Megjithatë, prokurorisë nuk i është dashur i plotë ky afat i vendosur nga ana e gjykatës dhe këtë të martë mbylli hetimet. Tashmë dosja është gati dhe në pritje për t’u dorëzuar në gjykatë, ku do të vendoset më pas se çfarë do të ndodhë më tej, edhe nëse do të ketë një masë sigurie ndaj ish-ministrit, që është thirrur për t’u paraqitur mesditën e 28 shkurtit për t’u njohur me provat kundër tij.
Saimir Tahiri akuzohet se ka bashkëpunuar me grupin e Habilajve në trafikimin e lëndëve narkotike dhe për shpërdorim detyre. Vetë ish-ministri i ka mohuar vazhdimisht këto akuza, ndërkohë që ai u hetua edhe nga prokuroria e Katanias në Itali. Në fund të hetimeve, pala italiane mbylli dosjen duke mos gjetur prova që Saimir Tahiri të kishte shkelur ligjin italian.
Por, pushimi i hetimeve nga pala italiane nuk shteroi pikëpyetjet që mbeten në Shqipëri. Së pari, mbetet “Audi A8”. Ish-ministri tha se ua kish shitur kushërinjëve, por nuk kishin ndryshuar pronësinë. Në 2015, ish-shefi i antidrogës, Dritan Zagani ka deklaruar se makina e ish-ministrit të Brendshëm është përdorur nga trafikantët e drogës, ndërsa me skafin e ministrit është transportuar drogë drejt Italisë.

Saimir Tahiri ngriti alibinë e tij sa i takon akuzës për përdorimin e makinës së tij Audi A8 me targë AA003GB. Ai e pranoi në shtator të 2015 se makina e tij mund të jetë përdorur nga njerëz të ndryshëm, por tha se makinën e kishte shitur që në 2013. Por, në 2014 makina figuronte ende me emrin e Saimir Tahirit dhe pyetjet që ngrihen janë të mëdha, që nga shitja fiktive e makinës, e deri tek mundësia që automjeti të jetë përdorur nga trafikantët për t’u shpëtuar kontrolleve policore.
Pa përgjigje deri më tani janë edhe akuzat e Prokurorisë se në të paktën katër raste, Saimir Tahiri ka udhëtuar me Habilajt në Audin A8, që deklaronte se e kishte shitur që në 2013. “Subjekti nën hetim Saimir Tahiri në datë 05.11.2013 ka realizuar shitjen e mjetit me targë AA03GB tek personi nën hetim Artan Habilaj, vëllai i të arrestuarit Moisi Habilaj”, ndërsa “më datë 16.08.2016, 30.08.2014, 29.08.2014, 08.08.2014 personi nën hetim Saimir Tahiri udhëton dhe përdor mjetin me targë AA03GB, i cili sipas aktit të shitjes rezulton të jetë shitur më datë 15.11.2013”, thotë Prokuroria.
Së dyti qëndron skafi. Në të vërtetë, mjeti lundrues i përdorur nga ish-ministri, kryesisht për pushime rezulton në emër të një shtetasi tjetër, i cili mohoi se e njihte Saimir Tahirin dhe i marrë në pyetje nga Prokuroria për Krimet e Rënda tha se ishte e para herë që e takonte atë.
Pika e tretë është gjetja e patentave ujore të Saimir Tahirit gjatë arrestimit të biznesmenit Orest Sota, i kapur në Elbasan me 830 mijë euro para të thata në makinën e tij. Këtu u gjetën edhe patentat e ish-ministrit të Brendshëm. Opozita deklaronte në atë kohë se paratë ishin të Saimir Tahirit dhe ai po përgatiste arratisjen, ndaj duhej arrestuar sa më parë.
Gjatë marrjes në pyetje, Orest Sota tha se patentat mund t’i ketë harruar në makinën e tij shoferi i ish-ministrit, me të cilin deklaroi se kishte shoqëri, ndërsa shumën e parave e justifikoi me blerjen e materialeve nga kompania Kurum. Vetë kjo kompani mohoi se kryente transaksione me para në dorë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.





