Lajme

Apeli i Braçes për opozitën: Të ndalet dhuna, s’i duhet askujt!

Zv.kryeministri Erjon Braçe, mjaft i tensionuar pas miratimit në Kuvend të projektiligjit për KLGJ dhe KLP, ka deklaruar se zgjatja e seancës plenare nuk ishte për të provokuar protestuesit e opozitës.

“Të miratosh strukturën e KLGJ dhe KLP, të miratosh dy ligje shumë të rëndësishme që ishin iniciativa ime. U kërkoj ndjesë shumë protestuesve që i kisha paraqitur.Të bësh këto nuk është karshillëk por ti shkosh deri në fund reformës në drejtësi, ngritjes së institucioneve. Nëse kemi kriza që riciklohen në mënyrë të dhunshme si kjo që shihni pasojë e drejtëpërdrejtë e sistemit të drejtësisë të munguar në këtë vend për vite e vite të tëra me radhë”.

Braçe shtoi më pas se nuk i intereson se ç’do të bëjë opozita në të ardhmen, por bëri thirrje që të ndalet dhuna.

“Punë e tyre, është zgjedhja e tyre me djegë mandatet, ishte zgjedhja e tyre dhe me vazhdu protestat. Ajo që mua më takon të bëj thirrje, është thirrja që po përsëritet në çdo gjuhë të botës, anglisht kryesisht. Tani dëgjova deklaratën e OSBE-së: Të ndalin dhunën! Dhuna nuk i duhet askujt. Ky vend e ka provuar dhunën në mënyrë konstante. Ky vend nuk ka nevojë për dhunë, ka nevojë për qetësi, ka nevojë për mirëqënie”, – u shpreh deputeti socialist.

Ndërkohë, deputeti tjetër socialist, Paulin Sterkaj i kërkoi ministrit të Brendshëm Sandër Lleshaj që të mos nxjerrë punonjësit e policisë në protestë pa uniformat përkatëse.

“I bëj thirrje ministrit të Brendshëm dhe drejtorit të Policisë që policinë të mos ma nxjerrin pa mjete intervenimi. Jo policë me uniformë policie përballë protestuesve, por policët të jenë të veshur me të gjitha pajisjet e sulmit të turmave që destabilizojnë vendin”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë