Lajme

Opozita proteston, PS i shtohet edhe një deputet i ri

Në një kohë që opozita e bashkuar protestonte mes tymit dhe flakës para Parlamentit, duke kërkuar rrëzimin e Edi Ramës dhe futjen e vendit në zgjedhje të parakohshme, mazhoranca brenda sallës së seancave plenare dukej e pashqetësuar.

Kryeparlamentari Gramoz Ruçi nga brenda sallës ka njoftuar se nga sot Partisë Socialiste i është shtuar edhe një tjetër deputet.

Ai është Dritan Bici, i cili fitoi mandatin në qytetin e Elbasanit dhe hyri në Kuvend pas largimit të Aqif Rakipit. Bici është larguar nga PDIU në kohën kur Shpëtim Idrizi prishi koalicionin me mazhorancën aktuale.

“Ju njoftoj se deputeti Dritan Bici është bërë anëtar i grupit të PS-së”, tha Ruçi. Deputeti Bici u rreshtua në radhët e PS pas largimit nga PDIU, duke mos pranuar djegien e mandatit.

Ndër të tjera Ruçi tha se është njoftuar KQZ për dorëzimin e mandateve të deputetëve të opozitës. “Në zbatim të kodit për dorëzimin e mandateve, njoftuam organin kompetent për të vijuar me procedurat e mëtejshme”,- tha Ruçi ndërsa çeli punimet e seancës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë