Politike

Parlamenti mblidhet pasdite, PD organizon protestë urgjente

Mazhoranca ka vendosur që të mblidhet sot pasdite, duke paralajmëruar kështu edhe ndonjë anulim të seancës të parashikuar këtë enjte në ora 10:00. Protesta e opozitës çdo të enjte përpara Parlamentit, duket se ka ndikuar te mazhoranca që të marrë një lëvizje taktike, duke e zhvendosur seancën sot pasdite.
Me sa duket kjo është vendosur që dje në mbledhjen e kryesisë së PS-së, por nuk u bë e njohur për median. Një ditë më parë Lulzim Basha mblodhi drejtuesit e PD-së së Tiranës për protestën e së enjtes para parlamentit, pa ditur që seanca zhvendosej sot.

Në seancë do të shqyrtohen kërkesat e “Për miratimin e strukturës organizative të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe të Këshillit të Lartë të Prokurorisë”.
Për vitin 2019, KLGJ dhe KLP kërkojnë në total rreth 490 milionë lekë. Paratë janë të ndara sipas zërave të shpenzimeve, ku peshën më të madhe e zënë pagat dhe sigurimet për punonjësit.
Në rendin e ditës gjithashtu janë edhe miratimi i dy projektligjet për titujt e pronësisë, si dhe caktimi i një anëtari dhe kryetarit të bordit të ERE-s, si dhe të 3 anëtarëve të Këshillit Drejtues të Radio Televizionit.

Urdhri i firmosur nga kryeparlamenti Gramoz Ruçi për mbledhjen në seancë


Kuvendi njoftoi se seanca plenare u thirr pas mbledhjes së konferencës së kryetarëve. Për shkak të protestës së enjtes së shkuar, kryeparlamentari Ruçi njoftoi anulimin e saj, pasi kishte të dhëna nga institucionet ligjzbatuese të shtetit se do të ushtrohej dhunë dhe do të sulmohej institucioni.

Gramoz Ruçi në deklaratën e 20 shkurtit ku lajmëroi anulimin e seancës

“Në këto kushte, duke pasur parasysh apelin e partnerëve tanë strategjikë, Duke pasur parasysh informacionet e organeve ligjzbatuese dhe të inteligjencës, Duke ndjekur qëllimin më të lartë të ruajtjes së integritetit të Kuvendit të Shqipërisë, të deputetëve dhe të sallës së Kuvendit, Ftoj kolegët deputetë, anëtarë të të gjithë grupeve parlamentare, të mirëkuptojnë vendimin tim për të mos zhvilluar seancën plenare të ditës së enjte, datë 21 shkurt. Përgjegjësia ime si Kryetar i Kuvendit, si një institucion mbi palët, por edhe si qytetar i këtij vendi, nuk më lejon t’u japë mundësi keqbërësve, të cilët mund të përfitojnë nga kultura dhe dinjiteti i qytetarëve e deputetëve protestues, për të sulmuar institucionet e shtetit dhe për të nxirë imazhin e Shqipërisë”, deklaroi Ruçi në konferencën e 20 shkurtit, duke kërkuar reflektimin nga opozita.
Ky vendim i mazhorancës nuk e ndali opozitën që të protestonte në shesh, e më pas të ndërmerrte aktin e dorëzimit të mandateve të 56 deputetëve të saj.


PD, paralajmëron protestë
Pas këtij vendimi të Parlamentit ka reaguar menjëherë Partia Demokratike. Nënkryetari i Kuvendit, Edi Paloka ka deklaruar se Kuvendi po mblidhet në një ilegalitet, duke e kthyer në një institucion monist.
“Kuvendi ilegjitim, mblidhet në ilegalitet. Pasi e rrethuan me tela me gjemba dhe salduan dyert hyrëse, tani kanë filluar ta mbledhin dhe në ilegalitet. Seancën e së enjtes, po kërkojnë ta mbledhin fshehtas sot në orën 17.00. Sa mendoni se do zgjasni kështu?! Tik-tak… Nga “Kuvendi” i Kristaqit, tek i Edvinit”, shkruan Paloka në Facebook. Gjithashtu këtë postim ai e shoqëron me një foto të Kuvendit Popullor të kohës së regjimit komunist, ku shfaqet duke votuar edhe Kristaq Rama, i ati i kryeministrit Edi Rama.

https://www.facebook.com/photo.php?fbid=2080452152252760&set=a.1766340456997266&type=3&theater


Ndërsa deputeti Gent Strazimiri ka këtë reagim: “Qesharakë deri në dhimbje!!! Gramoz, dëgjo mua! Shpjere Parlamentin në Galigat a në Salari që të biesh rehat, se dhe kështu… seancë e befasishme “pa mendje” sikur s’vete… P. S. Parlamenti që ka frikë nga POPULLI, nuk është i POPULLIT, nga POPULLI e për POPULLIN!”.

Për Tritan Shehun “një Parlament që thërret seancat plenare si në ilegalitet, jashtë kuadrit të Rregullores e traditës, vetëm disa orë më parë, padyshim është “nul””.
“Deputet që kthehen në thjesht “robot” dhe pranojnë t’u bëhet “rreshtore” sikur të ishin zboristët e dikurshëm. Padyshim nuk mund të kryejnë funksionet e tyre… Për kujtesë mund t’ju jap me qindra shembuj të Parlamenteve të mbledhura në vendimmarrje edhe kur jashtë tyre protestohet me forcë, shembuj që vijnë nga ngjarjet në vendet demokratike, momente që i ka kaluar edhe Kuvendi ynë që prej vitit 1991, por që asnjëherë nuk është hedhur ne “ilegalitet”, prandaj ka mbijetuar deri me sot”, thekson Shehu.


Ndërsa ky njoftim i shumicës për seancë, bëri që PD të organizohet për protestë jashtë radhe përpara Parlamentit. Pritet që protestuesit e opozitës të mblidhen përpara Parlamentit në ora 16:30. “Sot në orën 17:00 ka seancë parlamentare. Merrni masa për prani maksimale të strukturës në orën 16 e 30 para Parlamentit”, thuhet në një njoftimin e PD-së shpërndarë për strukturat e degës së Tiranës.
Mësohet se kjo cilësohet si një protestë ekstra, pasi sërish të enjten opozita do të protestojë përpara Parlamentit.

Nënkryetari i PD-së, Edi Paloka më pas në një prononcim për median deklaroi se mbledhja e Parlamentit është ilegjitim dhe vetë Rama nuk preferon që të jetë në sallë, por dërgon të tjerët.
“Është mbledhja e një parlamenti ilegjitim që nuk përfaqëson jo shqiptarët, por nuk përfaqëson as ata që dikur mund ta kenë votuar PS. Sot ky parlament është ilegjitim. Pasi e rrethuan me tela me gjemba, pasi i salduan hyrjet në Parlament, sot kanë kaluar në ilegalitet të plotë për të shpëtuar kokën e Edi Ramës. Kanë filluar mbledhin Parlamentin jo vetëm sikur e kanë privat, por edhe në ilegalitet. Ndërkohë që tjetri bën antimitingun në Lushnjee, se vetë ikën, as nuk rri në Parlament, dërgon Taon (Ballën) dhe Spiropalin në Parlament”, deklaroi Paloka.
Më tej ai vijoi se ne u kemi bëri thirrje qytetarëve të Tiranës që sot të jenë para parlamentit dhe ne do të zhvillojmë protestën, ashtu siç e kemi deklaruar sa herë që të mblidhen dhe kudo që të mblidhen.
Akuzave të PS-së se kanë frikë nga drejtësia, nënkryetari i PD-së theksoi se “banalitetet e Taos. Ne që dorëzojmë imunitetin kemi frikë nga drejtësia. Këta që fusin ligj për rritur imunitetin që mos ja dorëzojnë prokurorisë, këta nuk kanë frikë”.
Sa i përket qëndrimeve të ndërkombëtarëve për mos zhvillimin e protestës së dhunshme dhe mos dorëzim të mandateve, Paloka kishte një përgjigje: Protestat janë të qytetarëve. Atyre ia ka thënë njëherë Basha dhe atë duhet të ndjekin. Mos i kërkojnë shqiptarëve asgjë për të cilën nuk do e kërkonin për qytetarët e tyre.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë