Pas djegies së mandatit nga ana e Astrit Veliajt, emri i Lefter Maliqi është pasues në listën shumëemërore të Partisë Demokratike si kandidat për deputet në Qarkun e Beratit. Megjithëse ishte kandidat në listat e PD-së, ai u largua dhe iu bashkua socialistëve para zgjedhjeve të 25 qershorit 2017.
Ky ndryshim kahu i jep sot të drejtën që të refuzojë pa asnjë “pendesë” vendimin e Lulzim Bashës dhe forumeve drejtuese të Partisë Demokratike për të djeguar mandatet. Ai nuk ishte pjesë e listës me 194 emra deputetë e kandidatë për deputetë të 2017-ës që nisën procesin e firmosjes së dorëheqjeve dhe refuzimeve të mandateve.
Lefter Maliqi, aktualisht nëndrejtor i Përgjithshëm i Burgjeve nuk ka dhënë asnjë deklaratë se çfarë vendimi do të marrë në momentin që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do ta thërrasë për të marrë mandatin e lënë bosh nga Astrit Veliaj në Berat, por një sinjalizim e ka përcjellë përmes rrjeteve sociale.
“30 qershori është afër. Zgjedhjet lokale erdhën. Ndryshimi do të ndodhë! Besimi do të rikthehet! Mirënjohje!”. Ai shpërndan me këto fjalë një postim të 3 korrikut të 2017. Ato ditë ka qenë në aktivitete me banorë të Beratit për të festuar fitoren në zgjedhje.
“Megjithëse nuk isha as kandidat për deputet, as drejtues nga PS, të cilën mbështeta duke dëgjuar zërin e banorëve dhe mbështetesve të mi, për shkak të disa zhgënjimeve nga z.Basha, të cilin e vura në dijeni për katastrofën që e priste në Qarkun Berat, siç e vura ne dijeni edhe në 2015 për humbjen e thellë që pësoi në të 5 bashkitë e Qarkut Berat, pasi as në 2015, as tani nuk dëgjoi bazën e vlerësoi kandidatët”, shkruan Lefter Maliqi thuajse dy vite më parë.
PD doli parti e tretë në këtë qark, pas PS dhe LSI-së, duke marrë vetëm një mandat.
“Keqardhje dhe vlerësim për demokratët e thjeshtë, të cilët do të kenë tek mua një mik, por e paralajmërova zotin Lulzim Basha se parashutimi i UFO-s nuk do të pranohej nga populli i Beratit. Mirënjohje gjithë miqve demokratë nga i gjithë Qarku Berat që më besuan dhe më mbështetën, duke i dhënë PS fitore të thellë me 4 mandate dhe duke rrezikuar për pak vota mandatin e 5-të për PS. Së bashku në çdo sfidë e betejë!”, vijon deklarata.
Astrit Veliaj, pronari i Albanian University (ish-UFO), ishte i dyti në listën e PD-së, pas Eduard Halimit. Në këtë postim, Lefter Maliqi s’e fsheh zhgënjimin nga vendimi i Lulzim Bashës për vendosjen e Astrit Veliajt para emrit të tij në listë, kur thotë “…parashutimi i UFO-s”. Tani, koha i solli si sfidë vendimin e vështirë për të pranuar një mandat të lënë nga Asrit Veliaj dhe për të vijuar “betejat” në krah të socialistëve.
Deri më tani, Maliqi ka shmangur komentet nëse do ta pranojë, apo jo mandatin, ndaj me postimin në fjalë dyshimet se përgjigja ndaj KQZ-së do të jetë një “Po” shtohen akoma më shumë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




