Politike

Si mund t’i gjejë KQZ deputetët e rinj. Kriza duket pa rrugëdalje!

Dorëzimi i mandateve të 56 deputetëve të opozitës po paralajmëron një krizë të fortë politike në Shqipëri, krizë që po zhvillon aktin e fundit në vendimmarrjen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Kuvendi i Shqipërisë i dorëzoi dy ditë më parë deklaratat vullnetare të deputetëve të opozitës në KQZ për të marrë një vendim final për kryerjen e procedurës pas vakancës së krijuar me largimin e 56 deputetëve.
Ligji zgjedhor i lë hapësirë Kuvendit dhe KQZ-së deri në 30 ditë për të vepruar. Pra, nëse Kuvendi i dogji këto afate, atëherë institucioni që kryen zëvendësimin e mandateve KQZ-ja ka 30 ditë për të realizuar plotësimin e vakancës së krijuar.

Por sipas burimeve të Gazetës “Si”, KQZ-ja mund të krijojë procedura të tjera verifikuese për të zëvendësuar kandidatët që janë fitues pas largimit të 56 deputetëve të opozitës.
Kjo procedurë e “re” konsiston në faktin se personave që do të shpallen deputetë do t’u kërkohet që të plotësojnë edhe një herë Deklaratën e Dekriminalizimit.
Kjo, sipas burimeve pranë KQZ-së, lidhet me faktin se mund të rezultojë që disa prej personave që janë në listën e fituesve t’u ketë ndryshuar statusi i gjendjes gjyqësore; pas dy vitesh mund të jenë dënuar për ndonjë vepër penale.
Gjithashtu mësohet se kjo fazë e re e verifikimit do të bëhet me grupe, ku kandidatët do të thërriten sipas qarqeve.
Edhe pse një praktikë e tillë është ndjekur edhe me rastet e tjera, mësohet se kjo procedurë e KQZ-së me një shtrirje kohore shihet si një mundësi për t’i dhënë fund kësaj krize politike. Edhe pse palët janë të ndara dhe kompromisi duket i largët, mendohet se ky afat kohor që mund të shkojë përtej 30 ditëve, do të krijojë mundësinë që të ndërhyjë faktori ndërkombëtar, i cili po bën thirrje që mazhoranca dhe opozita të ulen edhe të gjejnë gjuhën e dialogut për zgjidhjen e këtij ngërçi.
“Po i ndjekim me shumë vëmendje zhvillimet aktuale politike në Tiranë. Bojkotimin e Parlamentit dhe në veçanti dorëheqjen e deputetëve e konsiderojmë të gabuar. Platforma e duhur për të zgjidhur konfliktet politike është Kuvendi. Ngecja në vend nuk është opsion për Shqipërinë e sidomos kur Shqipëria është në pritje të vendimit të BE-së për çeljen e negociatave të anëtarësimit”, thuhej në deklaratën e lëshuar nga Ministria e Jashtme e Gjermanisë.
Kundër djegies së mandateve u shprehën edhe dy komisionerët e lartë Johaness Hahn dhe Federica Mogherini.
“Për më tepër, vendimi i opozitës për dorëzimin e mandatet e tyre pengon seriozisht funksionimin e demokracisë në Shqipëri. Parlamenti është vendi ku duhet të diskutohen reformat, të cilat duhet të çohen përpara dhe jo të bojkotohen. Këto vendime dhe akte janë joproduktive, shkojnë kundër zgjedhjes demokratike të shtetasve shqiptarë si dhe minojnë progresin që ka bërë Shqipëria në rrugën drejt Bashkimit Europian”, thuhej në deklaratën e përbashkët

Mohgerini dhe Hahn theksuan se Bashkimi Europian pret që të gjithë anëtarët e Parlamentit shqiptar të mbrojnë idealet dhe parimet e demokracisë dhe të vazhdojnë të shërbejnë në Kuvend. “Ne po ashtu presim që qeveria dhe opozita të angazhohen në diskutime konstruktive me qëllim tejkalimin e situatës aktuale politike në të mirë të Shqipërisë dhe qytetarëve të saj”, përfundoi reagimi i dy zyrtarëve të lartë.

Lista e gjatë dhe pesë mandatet e padjegura
Procesi i plotësimit të Kuvendit me “opozitë” mund të zgjatet në kohë, pasi opozita ka bërë të ditur se edhe emrat e tjerë që janë në listën shumëmërore nuk do të pranojnë që të marrin mandatin e deputetit, edhe pse një gjë e tillë pritet të t’u parë.
Për t’i paraprirë ndonjë refuzimi tjetër për të ndjekur vijën brenda partisë të ndonjë kandidati për deputet, PD dhe LSI po ndërmarrin nismën e nënshkrimit në bllok të deklaratave të refuzimit të marrjes së mandatit, ashtu siç u veprua me deputetët aktualë.
Grupi i ekspertëve ligjorë pranë PD-së, që përbëhet nga ekspertët Oerd Bylykbashi, Gazment Bardhi, Enkelejd Alibeaj dhe Çlirim Gjata po punojnë për këtë proces dhe pritet që të përpilojnë deklaratën në të cilën do t’u kërkohet kandidatëve potencialë që ta firmosin.
Sipas nenit 164, pika 3, KQZ-ja merr vendim për dhënien e mandatit kandidatit të radhës në listën e kandidatëve të regjistruar përpara zgjedhjeve dhe të miratuar nga ana e këtij institucioni. Vendimi i njoftohet kandidatit dhe botohet në Fletoren Zyrtare. Nëse kandidati i radhës nuk paraqitet në Kuvend brenda 30 ditëve nga njoftimi, pa shkaqe të përligjura, mandati i kalon kandidatit vijues të listës, sipas procedurës së parashikuar në pikën 1 ose 2 të këtij neni. E njëjta procedurë vazhdon deri në shterimin e listës së kandidatëve të së njëjtës parti politike.
151 kandidatë të PD-së janë në listën e pritjes së marrjes së mandatit, në rast se kandidatët fitues refuzojnë, atëherë do të vijohet me listën pasuese. Ndërsa te LSI-ja janë 128 kandidatë që “presin” për “t’u bërë deputetë”.
Sipas Kodit, në rast se lista refuzohet në bllok, atëherë lista plotësohet me partinë që ka shumicën e votave. Sipas këtij përcaktimi i bie që mandatet e opozitës t’i marrë Partia Socialiste.
Ndërkaq nga 61 mandate të opozitës në Parlament, vetëm 5 prej tyre nuk kanë dorëzuar ende mandatin e deputetit. Lefter Koka i LSI-së, Rudina Hajdari dhe Myslym Murrizi i PD janë në këtë listë. Ndërsa dy krerët e partive aleate, Fatmir Mediu i PR dhe Nard Ndoka i PDK për shkak se ishin jashtë shtetit nuk e kanë firmosur ende deklaratën për dorëzimin e mandatit.
Ndërsa me interes do të ndiqet nëse edhe përfaqësuesit e opozitës në listat shumëmërore do të refuzojnë apo jo mandatin e deputetit.

Kanë dorëzuar mandatet

Agron Shehaj
Albana Vokshi
Aldo Bumçi
Andon Frrokaj
Astrit Veliaj
Bardh Spahia
Dhurata Çupi
Edi Paloka
Edmond Spaho
Endri Hasa
Enkelejd Alibeaj
Ervin Salianji
Flamur Noka
Florjon Mima
Genc Pollo
Gent Strazimiri
Grida Shqina
Halim Kosova
Izmira Ulqinaku Rusi
Jorida Tabaku
Klevis Balliu
Lorenc Luka
Luan Baçi
Luçiano Boçi
Lulzim Basha
Oerd Bylykbashi
Romeo Gurakuqi
Sali Berisha
Tritan Shehu
Valentina Duka
Xhemal Gjunkshi
Fatbardha Kadiu
Fatmir Mediu
Hekuran Hoxhalli
Isuf Çelaj
Lindita Metaliaj
Nadire Meçorapaj
Orjola Pampuri
Dashamir Shehi
Agron Çela
Edmond Haxhinasto
Edmond Panariti
Endrit Braimllari
Floida Kërpaçi
Kejdi Mehmetaj
Klajda Gjosha
Luan Rama
Monika Kryemadhi
Nasip Naço
Nora Malaj
Përparim Spahiu
Petrit Vasili
Shezai Rokaj
Silva Caka
Vangjel Tavo
Viktor Tushaj
Vangjel Dule

Nuk kanë dorëzuar mandatin

Fatmir Mediu
Nard Ndoka
Myslym Murrizi
Rudina Hajdari
Lefter Koka


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë