Lajme

Tragjedi në Pukë, dy të rinj humbin jetën pas rënies në greminë

Dy të rinj janë gjetur të pajetë mbrëmjë, pasi dyshohet se janë rrëzuar në greminë për shkak të erërave të forta dhe motit të keq që ka përfshirë një pjesë të mirë të vendit këtë fundjaë.

Ngjarja e rëndë ka ndodhur në fshatin Buzhalë të Pukës. Viktimat janë Taulant Pjetri 20 vjeç dhe Kristaq Maka 24 vjeç, shokë me njëri-tjetrin. Ata ishin me bagëti në një stan prej dy ditësh. Policia menjëherë pas njoftimit është nisur drejt zonës se thellë malore.

Ndërkohë, moti i keq, erërat e forta dhe reshjet e dëborës kanë shkaktuar incidente të ndryshme në akset rrugore të vendit.

Për këtë arsye, Policia Rrugore i ka bërë apel drejtuesve të të gjitha mjeteve që qarkullojnë në aksin Fier-Tepelenë dhe Lezhë-Mabë që të ngadalësojnë shpejtësinë dhe të tregohen të kujdesshëm, si dhe të kontaktojnë me punonjësit e Policisë Rrugore si dhe në numrin 112 për çdo problem që mund të kenë gjatë udhëtimit në këtë aks rrugor e më gjatë.

Për shkak të motit të keq, që ka përfshirë vendin këtë fundjavë, erërat e forta kanë shkaktuar përmbysjen e 4 kamionëve të lartë në aksin Lezhë-Mabë, por për fat të mirë pa të lënduar.

Policia Rrugore, pas këtyre incidenteve të rrezikshme, bën me dije se është angazhuar me shërbime të shtuara në aksin rrugor Lezh-Mabe, ndërsa aktualisht intensiteti i shpejtësisë së erës është shumë i fuqishëm dhe për këtë arsye, ka vendosur të pezullojë lëvizjen e kamionëve me mbulesë deri në një njoftim të dytë, për të shmangur aksidentet rrugore.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë