Karvanit me deputetë dhe protestues të udhëhequr nga Lulzim Basha dhe Monika Kryemadhi më 21 shkurt nga godina e seancave plenare të Parlamentit në drejtim të Kryesisë së Kuvendit, ku u dorëzuan zyrtarisht kërkesat kolektive për dorëheqje nga mandatet e deputetëve, u mungonin disa emra.
Mungesat ishin me dhe pa arsye. Lefter Koka dhe Myslym Murrizi refuzuan publikisht heqjen dorë nga mandatet e tyre. Por, emra të tjerë mungonin gjithashtu. Mes tyre ishte edhe Rudina Hajdari, vajza e udhëheqësit të lëvizjes studentore të Dhjetorit ’91, Azem Hajdari.
Ditën që Basha dhe të tijtë dorëzonin mandatet, Rudina Hajdari ndodhej në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ky ishte argumenti që u përdor nga zëra brenda Partisë Demokratike për të shuar lajmet e një përplasjeje mes Bashës dhe të bijës së Azem Hajdarit.
Por, prej mëngjesit të së premtes, Rudina Hajdari është rikthyer në Shqipëri. Gazeta “Si” u përpoq përgjatë gjithë ditës së premte që të marrë një koment nga deputetja duke e kontaktuar atë në numrin e saj të telefonit. Kontakti ishte i pamundur. “Ju lutem të më mirëkuptoni se nuk kam mundur të shprehem për këtë çështje prej mbrëmjes të së premtes që jam kthyer për shkak të disa problemeve shëndetësore. Qëndrimin tim do t’a bëj publik shumë shpejt”, tha të dielën në mbrëmje deputetja demokrate.

Interesimi i medias për të mësuar se çfarë do të bëjë ajo me mandatin e saj mbetet i madh, ndaj për t’u clodhur nga udhëtimi i gjatë, Rudina Hajdari mund të ketë zgjedhur që të fikë telefonin dhe të injorojë thirrjet për koment. Por, ajo nuk ka injoruar vetëm mediat. Burime të sigurta nga opozita thonë për gazetën se Rudina Hajdari nuk ka komunikuar as me partinë.
Dhe më në fund, të dielën në mbrëmje, nëpërmjet një postimi në Facebook, Rudina Hajdari është bërë e gjallë, megjithëse nuk e ka shprehur qartë nëse do ta djegë apo jo mandatin e saj, sic kanë bërë kolegët e tjerë të grupit parlamentar.
“Është e natyrshme që historia ime familjare ndikon sa në sjelljen time politike aq edhe në përceptimin publik të saj. Kushtetuta e Shqipërisë e ka përcaktuar “heqjen dorë nga mandati” të deputetit si vendim individual, pavarësisht kësaj unë nuk e ndiej vetën aspak të shkëputur nga grupi parlamentar i PD dhe nga misioni i saj… E kam shumë të qartë misionin tim si person politik por edhe si qytetare, do të jem gjithmonë e rreshtuar përkrah me demokratët, të rinjtë, studentët dhe qytetarët shqiptarë në interesin kombëtar për një Shqipëri demokratike dhe Evropiane”, shprehet Hajdari.
“Për shkak të karakterit dhe formimit tim, “vendimet” i kam vlerësuar gjithnjë fort duke i’u kushtuar kohën, analizën dhe vëmendjen e duhur dhe ky rast është një ndër më të rëndësishmit”, thotë deputetja demokrate, e cila shton se gjatë kësaj periudhe është “konsultuar me personalitete politike të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, nëse do të duhet ta lërë mandatin apo jo.
Ajo që shton akoma më shumë dyshimet është mungesa e saj prej disa kohësh në mbledhjet e grupit parlamentar të Partisë Demokratike dhe forumeve të tjera drejtuese të demokratëve. Këto elementë të bëjnë të dyshosh se ka një përplasje të pa shfaqur ende publikisht mes deputetes dhe Lulzim Bashës.
Nëse kjo përplasje ekziston, atëherë ajo po zhvillohet larg vëmendjes së mediave dhe publikut, ndryshe nga përplasja me Myslym Murrizin. Deri para vendimit për dorëheqje, Murrizi perceptohej si njeri besnik i Lulzim Bashës dhe i besuari i tij. Megjithë këtë status që gëzonte, të paktën në publik, Murrizi jo vetëm që refuzoi vendimin e kryetarit dhe forumeve drejtuese të demokratëve për t’u dorëhequr, por shpërtheu në sulme e akuza ndaj anëtarëve të Kryesisë dhe të Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike.
“Këta që janë në Kryesinë dhe në Këshillin Kombëtar, po të ishte sistem tjetër, ai me lista të hapura nuk do t’i votonte njeri as për kryeplak. Po i votoi njeri këta, mua më varni te kali Skënderbeut. Janë njerëz që nuk i njeh njeri. Nuk kanë qenë në asnjë varrim, nuk i kane dhënë dorën askujt. Këtyre edhe rrogën ua mban gruaja”, deklaroi ai në një intervistë dhënë për News24.

Pas këtyre deklaratave, Kryesia e PD-së u mblodh dhe e përjashtoi nga partia pa u menduar dy herë. Përballë aksionit opozitar, Myslym Murrizi është një “humbje” pa shumë peshë. Rudina Hajdari nga ana tjetër nuk ka dalë hapur kundër dorëheqjes, por as e ka firmosur atë. Për vitet që kanë mbi shpinë, Myslym Murrizi ka më shumë kontribute se ajo në Partinë Demokratike. Megjithatë, pas Rudina Hajdarit qëndron simbolika. Ajo jo vetëm që është e bija e Azem Hajdarit, por shihet edhe si një zë i rinisë, qëndrim që e përforcoi gjatë protestës së studentëve në dhjetori të vitit të kaluar.
“Sot dua t’i bëj një betim tim ati, t’iu bëj një betim të rinjve se jam gati të lë mandatin për t’iu bashkuar të rinjve sot për luftën e tyre”, deklaronte ajo më 8 dhjetor të vitit të kaluar në ceremoninë përkujtimore të nisjes së protestës së studentëve më 1991.

Megjithëse studentët e refuzuan mbështetjen e Partisë Demokratike, Rudina Hajdari ishte e gatshme që të dorëhiqej si mbështetje për kauzën e tyre. Po sot? Sot ajo shkruan ne Facebook se: “Nuk ka kaluar kohë shumë e gjatë nga 8 dhjetori 2018 kur shpreha gadishmërinë time të sinqertë për të lënë mandatin e deputetit e për t’u bashkuar me studentët për kauzat e kombit, për ndërtimin e një sistemi të vërtetë demokratik në Shqipëri, por ky propozim ishte në një kontekst komplet të ndryshem nga ai që është tani. Bëhej fjalë për sakrificë politike individuale për t’iu ardhur në ndihmë studentëve në kauzën e tyre dhe jo për vendim kolektiv i cili pritet të ketë rrisqe”. Sot me shkëputjen e kanaleve të komunikimit me Partinë Demokratike, Rudina Hajdari ka ngritur dyshimet se ka qenë e dyzuar për të lënë mandatin për kauzën e opozitës për zgjedhje të reja.
Ka edhe një element tjetër, por që qarkullon më shumë në kuadër të thashethemeve të ngritura kryesisht përmes memeve dhe postimeve në rrjetet sociale. Fatmira Hajdari, e ëma e Rudinës, është gjyqtare apeli në Tiranë. Ajo ende nuk ka kaluar në sitën e vettingut. Këtë fakt s’e kanë kursyer shpotitjet ironike nëpër rrjetet sociale, që e lidhin vendimin e saj për të mos dorëzuar mandatin me kalimin në vetting të së ëmës. Por përkundër asaj që përflitet, Hajdari u shpreh mbremjen e se dieles se “mandatin e deputetit nuk e ka konceptuar kurrë si një mjet të interesit vetjak i cili nuk duhet dorëzuar kurrësesi”.
A po ecën Rudina Hajdari në rrugën e babait të saj Azem Hajdarit, që njihej si një zë rebel brenda Partisë Demokratike? Përsa kohë vetë Rudina Hajdari nuk ka dalë në një vendim perfundimtar publik dhe as nuk ka firmosur dorëheqjen, këto janë hamendësime mediatike, që u shtohen hamendësimeve për një pjesë të aleatëve të vegjël të Partisë Demokratike.

Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.





