Politike

Mandatet e djegura, a do t’i hapet dera Bashës nga SHBA-BE-OSBE?

Vendimi i opozitës për dorëzimin e mandateve të deputetëve, një lëvizje që ndodh për herë të parë në historinë parlamentare në Shqipëri, po shoqërohet me një valë kontestimi nga ana e faktorit të ndërkombëtar.
Kriza e re politike po shihet si e dëmshme nga ndërkombëtarët, që po e lidhin edhe me procesin e integrimit të Shqipërisë në BE.
“Vendimi i opozitës për dorëzimin e mandatet e tyre pengon seriozisht funksionimin e demokracisë në Shqipëri. Parlamenti është vendi ku duhet të diskutohen reformat, të cilat duhet të çohen përpara dhe jo të bojkotohen. Këto vendime dhe akte janë joproduktive, shkojnë kundër zgjedhjes demokratike të shtetasve shqiptarë si dhe minojnë progresin që ka bërë Shqipëria në rrugën drejt Bashkimit Europian”, ishte deklarata e përbashkët e Federica Mogherinit dhe Johaness Hahn.

Dy komisioneret e larte KE, Mogherini dhe Hahn


Ndërsa Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë qenë më aktive sa i përket krizës së re politike në Shqipëri. Zv/Ndihmës Sekretari i Shtetit për Evropën, Matthew Palmer ka zhvilluar të mërkurën dy biseda të veçanta telefonike me kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Basha dhe me kryetaren e Lëvizjes Socialiste për Integrim Monika Kryemadhi.
Zëri i Amerikës (VOA) raportoi se diplomati i lartë amerikan, “i këshilloi” dy kryetarët e partive “kundër dorëheqjeve të koordinuara dhe në masë të deputetëve të opozitës nga parlamenti, pasi kjo do të dëmtonte përpjekjet për reforma dhe do të dëmtonte një institucion të rëndësishëm të demokracisë”.

Mesazhi i qartë i zyrtarit të DASH ka qenë tejet kritikues edhe në faktin se liderët e opozitës nuk e kanë dënuar dhunën në protestën e 16 shkurtit. Telefonata nga përtej Atlantikut ka ndikuar që protesta e 21 shkurtit të mos shënonte në akte dhune.

Zyrtar i DASH, Palmer


Basha me mision në OSBE
Përkundër thirrjeve të ndërkombëtarëve, kryedemokrati Lulzim Basha ka nisur një tjetër mision atë që të bindë ndërkombëtarët se qëndrimi i opozitës është i marrë në kushtet e ezaurimit të të gjithë mundësive për një dialog politik me mazhorancën. Sot kryedemokrati udhëtoi drejt Vjenës, për të marrë pjesë në një takim që organizuar nga Asambleja Parlamentare e OSBE-së, si pjese sesionit të Vjenës.

Kreu i PD, Lulzim Basha dhe Shkelzen Berisha, djali ish-kryeministrit, ne aeroportin e Rinasit, sot para udhëtimit të liderit të opozitës drejt Vjenës (Foto amatore)


Një tryezë e posaçme është zhvilluar vetëm për çështjen e situatës në Shqipëri dhe në Maqedoni. Grupi i PPE-ve në Asamblenë Parlamentare të OSBE-së bën të ditur nëpërmjet postimeve në Twitter se ka pasur një mik të veçantë, duke nënkuptuar prezencën e kryedemokratit Lulzim Basha. “Duke raportuar për gjendjen shqetësuese në Shqipëri, demonstratat kundër qeverisë socialiste, korrupsionin, trafikun e drogës dhe zhvillimet jo demokratike”, thuhet ne mesazhin e PPE-së.


Situata në Shqipëri është diskutuar në prani të presidentit të Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, Geroge Tsereli, si dhe përfaqësuesit e tjerë si Margareta Cederfelt; zëvendëspresidente e Asamblesë Parlamentare të OSBE-së; Kyriakos Hadjiyianni, reporter Komitetit për Demokracinë dhe të Drejtat e Njeriut; si dhe Patrick Voller; Pascal Allizard dhe Alan Farell.
Në këtë takim mësohet se ka marrë pjesë edhe senatori Roger Wicker, republikani që mban postin e kryetarit të Komitetit të Tregtisë, Transportit dhe Shkencës. Wicker është zv.presidenti i Asamblesë së OSBE-së, si dhe kryetar i komitetit Amerikan të Helsinkit.
Takimi i Bashës duket se është ndërmjetësuar nga ana e Partive Popullore Europiane. Në selinë e OSBE-së ndodhet edhe kryerepublikani Fatmir Mediu. Sipas burimeve mësohet se këto takime janë të paparashikuara nga ana e kryedemokratit Lulzim Basha, pasi nuk ka pasur ndonjë axhendë zyrtare.


Ndërsa turi i radhës së Bashës janë takimet e tij në Berlin me përfaqësues të partive të CDU dhe CSU. Përpara vizitës së tij në Gjermani, është lëshuar një deklaratë zyrtare nga ana qeverisë gjermane, e cila drejtohet nga ana e CDU dhe CSU.
Ministria e Punëve të Jashtme shprehet se “platforma e duhur për zgjidhjen e konflikteve politike është Parlamenti”.
“Po i ndjekim me shumë vëmendje zhvillimet aktuale politike në Tiranë. Bojkotimin e Parlamentit dhe në veçanti dorëheqjen e deputetëve e konsiderojmë të gabuar. Platforma e duhur për të zgjidhur konfliktet politike është Kuvendi. Ngecja në vend nuk është opsion për Shqipërinë e sidomos kur Shqipëria është në pritje të vendimit të BE-së për çeljen e negociatave të anëtarësimit”, thuhet në deklaratën e dhënë për Deutsche Wellen.
Të gjitha këto takime duken si një mision i pamundur i Bashës sa i përket vendimit për dorëzimin e mandateve për të bindur Trojkën (SHBA-BE-OSBE) se ishte i duhuri. Tashmë kur mazhoranca dhe opozita duken larg dialogut, PD po kërkon ndërgjegjësimin e ndërkombëtarëve për situatën, mbase duke tentuar edhe arritjen e një ndërmjetësimi me prezencën e të huajve.
Kushti i opozitës pas dorëzimit të mandateve është krijimi i një qeverisë tranzitore, pa Edi Ramën kryeministër, si dhe çuarjen e vendit në zgjedhje të parakohshme parlamentare. Mazhoranca ka përjashtuar këto kërkesa të opozitës, ndërsa ndërkombëtarët tashmë janë vënë në lëvizje për të arritur një shtensionim të situatës, përpara se KQZ-ja të marrë vendimin për heqjen e mandateve të deputetëve të opozitës.
Një proces që është i ndërvarur nga afatet e vendosura nga Kuvendi, si dhe nga KQZ-së, që si maksimal është 60 ditor.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë