Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi ka komentuar deklaratën e kryeministrit Edi Rama mbi shitblerjen e votës, ku tha se “Monika do të ishte e para që do të shkonte në ferr për shitblerjen e votave”.
Kryemadhi e ftoi Ramën që “të mbledh ca veten”, pasi sipas saj sot kryeministri nuk e priste veprimin e opozitës dhe ndihet i lodhur, pasi është vetëm.
“Mekanizmi i shitblerjes së votës e ka origjinën te Edi Rama jo te Monika. Parajsa e njerëzve të mirë është ferri i Edi Ramës. Edhe Edi Rama të lutet e të besojë në Zot se kështu do të gjejë paqe dhe do të largohet nga droga, – tha kryetarja e LSI-së në “Open”. – Kjo revoltë popullore do ta tërheqë zvarrë nga karrigia. Edi Rama ta mbledhë ca veten. Nuk është ndonjë qamet i madh. Jeta vazhdon edhe më pas. Ai artist është. Ka thënë që do të bëhet edhe rrobaqepës”, tha Kryemadhi.
Në daljen e tij për mediat, shefi i qeverisë nuk kurseu sulmin ndaj opozitës, teksa foli për kërkesën kryesore të tyre, që është zhvillimi i zgjedhjeve të lira e të ndershme, pasi në 2017 u blenë votat.
Rama shigjetoi Presidentin Ilir Meta dhe kryetaren e LSI, Monika Kryemadhi, duke thënë se shqiptarët e dinë se ata të dy janë ata që kanë blerë mandate.
“Sa për blerjen e votave nuk e fsheh dot, që kur shoh Monikën që i thërret zotit që të mbrojnë nga blerësit e votave them se i plotfuqishmi nuk merret me zgjedhjet, sepse Monika do të ishte e para që do të shkonte në ferr për shitblerjen e votave”, theksoi kryeministri.
Sipas Ramës, edhe Ilir Metën “e kemi parë me zë dhe figurë të blejë mandatin e LSI në Lezhë”, duke iu referuar rastit të ish-kryebashkiakut të këtij qyteti, Viktor Tusha.
“E panë të tërë si u dha një zarf për mandate në Lezhë, kur presidenti i Shqipërisë nisi turin për të mbrojtur zgjedhjet, me thirrjen për të ngritur armët. Me shpjegimin zyrtar të partisë së Monës se andej nga ajo zonë është traditë dhënia e zarfit”, deklaroi Rama.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




