Politike

Basha nis turin ndërkombëtar pas djegies së mandateve

Pas dorëzimit të mandateve të opozitës në Kryesinë e Kuvendit, kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, nis sot një tur ndërkombëtar.

Basha qëndron sot në Vjenë të Austrisë, ku takon kongresmenë amerikanë, ndërsa javën tjetër do të niset drejt Berlinit, ku do të zhvillojë takime me deputetë të CDU/CSU. Në Vjenë ndodhet aktualisht dhe kreu i Partisë Republikane Fatmir Mediu, në një takim të OSBE.

Një tur ky i kryedemokratit vjen menjëherë pas dorëzimit të mandateve parlamentare të opozitës ditën e djeshme.

Vendimi vjen në kulmin e tensionit politik në Shqipëri dhe duket se vendi ka hyrë zyrtarisht në një krizë të re institucionale, me ngërçin që të gjithë e kanë të vështirë të parashikojnë se si do të zgjidhet.

Në njërin krah janë ndërkombëtarët që ia kanë bërë të qartë opozitës se pushteti nuk merret me dhunë dhe në krahun tjetër Kryeministri Edi Rama që deklaroi se është gati për dialog, por se zgjedhje do të ketë vetëm në vitin 2021.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë