Politike

Rebelë si Lefter Koka? Kryemadhi: Kush e provon, përfundon në kazan plehrash

Pas protestës dhe aktit të dorëzimit të mandateve në mënyrë demonstrative në selinë e kryesisë së Kryesisë së Kuvendit, kryedemokrati Lulzim Basha dhe kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi së bashku me drejtues të tjerë të partive kanë zhvilluar konsultat mbi hapat e mëtejshme që do të ndërmerren.
Protesta e qetë, ndryshe nga ajo e 16 shkurtit, duket se ishte misioni i opozitës ditën e sotme e që ishte ndikuar edhe apeli i fortë i ndëkrombëtarëve për të mos ushtruar dhunë në protestë.
Pas mesazhit të Bashës përpara protestuesve para selisë së opozitës, drejtuesit kryesorë të partive të opozitës vendosën u mblodhën për të vendosur për strategjinë e radhës. Mësohet se opozita do të nisë takime nëpër rretheve si pjesë e strategjisë së radhës.
Ndërsa nuk është vendosur akoma për një protestë të radhës në Tiranë.
Pas takimit kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi ka deklaruar se mesazhi i protestës së 21 shkurtit ishte mjaft i qartë.
“Sot na dhanë më shumë energji dhe pozitivitet për ta çuar deri në fund misionin dhe ndarjen përfundimtare me atë Parlament për të cilin për 27 vjet shqiptarët kanë shpresuar se jemi në demokraci, por që na ktheu mbrapsht. Sot opozita dhe deputetët e opozitës janë të lirë nga kapja e çdo zinxhiri politik, i cili është i lidhur me krimin më shumë se kurrë. Ajo çfarë ndjejnë deputetët, edhe unë vetë personalisht, është që më shumë se ç’kushton liria nuk kushton asgjë tjetër. Dhe liria është një nga gjërat më të mira, sepse në fund të fundit morali dhe përfaqësimi që kemi ne, nuk është që të përfaqësojmë grupet e interesit, oligarkët apo kapjen e individëve të caktuar. Qoftë kjo nga drejtësia, apo qoftë nga krimi i organizuar apo allishverishet e caktuara”, deklaroi Kryemadhi.
Ndërsa sa i përket refuzimit të mandateve dhe rreziku se edhe njerëz të tjerë të listës së mëpasshme të fituesve të LSI-së, Kryemadhi ka lëshuar një mesazh të drejtpërdrejt ndaj atyre që mund të veprojnë si rebelë si ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka.
“Grupi teknik po punon, por këtu nuk është çështje deputeti, këtu është çështje fryme. Kush deputet do të përfundojë në kazan të plehrave si ato të Ukrainës le ta provojë. LSI-në, opozitën nuk i mbajnë peng as inceneratorët, as tenderat, as Vettingu dhe asgjë tjetër”, deklaroi Kryemadhi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë