Lajme

Kryemadhi: Meta nuk më ndalon dot, jam betuar para shqiptarëve!

Pavarësisht se vendosi e fundit nga partitë opozitare për të djegur mandatet parlamentare, kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi ka shpjeguar se ka qenë një vendim i vështirë, por sipas saj ishte e vetmja rrugë demokratike.

“Vendimi erdhi si rezultat i gjithë agjendës opozitare ku për hir të së vërtetës, opozita e bashkuar konsumoi të gjitha mjetet apo lëvizjet e saj me mazhorancën ku për hir të së vërtetës, arroganca apo euforia apo kapja e institucioneve, arriti kulmin. Kam renditur disa problematika që na janë bërë si mirëmëngjes dhe mirëmbrëma. Ajo që sot mund të duket radikale, nuk është e tillë. Është i vetmi element demokratik që i ka mbetur opozitës”, tha Kryemadhi në emisionin “360 gradë”.

Kryetarja e LSI-së, fshikulloi edhe Presidentin e Republikës Ilir Meta (bashkëshorti i saj njëkohësisht), në lidhje me situatën e fundit politike, duke thënë se nuk e ndalon dot të protestojë për kauzën e forcës politike që drejton. Pak para protestës së 16 shkurtit, kryetari i shtetit i bëri thirrje opozitës që të tregojë vetëpërmbajtje gjatë manifestimit tek Kryeministria.

“E para, Presidenti të vinte te Presidenca dhe ta ndjente gazin. Una jam koshiente dhe e pranoj pozicionin e tij. Ai duhet të bëjë detyrën e tij si president dhe nuk ka pse të përfshihet fare, – u shpreh Kryemadhi. – Kjo nuk është beteja e opozitës, nuk është beteja e Ilir Metës, është beteja e shqiptarëve.  Detyra jonë, as unë dhe as Meta nuk jemi fillestarë, secili nga ne ka marrë përsipër përgjegjësitë e tij. Përgjegjësitë tona nuk ngatërrohen me marrëdhëniet familjare. Kur unë kam marrë këtë pozicion, pozicionin radikal për t’i shkuar deri në fund këtij procesi, mua nuk më ndalon dot Ilir Meta. Nuk më ndalon Ilir Meta, sepse ky është betimi që unë kam bërë përballë atyre 250 mijë votuesve”.

Kryetarja e LSI-së, duke iu kthyer protestës së 16 shkurtit, tha se ajo nuk ishte e dhunshme, sepse siç theksoi asnjë polic nuk u përgjak, por përkundrazi, akuzoi Gardën për përdorimin e gazit lotsjellës.

“Mos të harrojmë që pjesëmarrja e protestuesve ishte e jashtëzakonshme. Mbi 20 herë janë hedhur lëndë helmuese ushtarake. Kjo gjë ndodhi në mënyrë permanente. Qëllimin protesta e arriti. E para, tregoi se shumica e shqiptarëve janë kundër Edi Ramës, jo se janë me Lulzim Bashën apo Monika Kryemadhit. Janë kundër Edi Ramës, kundër çmimeve të energjisë elektrike. Shqiptarët kanë të njëjtën rrogë sot por paguajnë më shtrenjtë”, tha ajo.

Sipas kryetares së LSI, “opozita po të donte, brenda 10 minutave e merrte godinën e Kryeministrisë dhe ia hidhte surratit Edi Ramës”.

Ajo shtoi se kryeministri Edi Rama është në hall dhe se do të jetojë si ish-presidenti palestinez, i ndjeri Jaser Arafat.

“Rama është frikacak. Ai iku. Më gjej një rast. Në çdo protestë, qoftë kur ka qenë Berisha kryeministër, qoftë Ilir Meta, qoftë Pandeli Majko, qoftë Bashkim Fino. Kush ka ikur nga Kryeministria ka dhënë dorëheqjen. Këtu pa bazuka iku, imagjino me bazuka. Të jeni të bindur që Edi Rama do të jetojë si Arafati tani. Dy ditë nuk do të rrijë në një vend. As shoferi i tij nuk do ta dijë ku do të ndodhet”, – vijoi Kryemadhi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë