Rend dhe Ligj

Protesta e opozitës, shkon në 40 numri i të shoqëruarve

Numri i personave të shoqëruar për veprime të dhunshme gjatë protestës së të shtunës në Tiranë ka shkuar tanimë në 40 protestues. Sipas raporteve, policia ka qenë në punë gjatë gjithë natës dhe ka kryer shoqërime të shumta edhe në Lezhë, Fier e Durrës.

Arrestimet erdhën apsi policia ngriti një grup hetimor që po merret me identifikimin e personave që kryen akte të dhunshme gjatë protestës, duke dhunuar pronën publike.

Të shtunën në mbremje, në Drejtorinë e Policisë së Tiranës ka pasur tension e përplasje mes deputetëve të partisë Demokratike dhe policëve.

Kamerat e sigurisë kanë filmuar se disa prej të shoqëruarve kanë rezultuar të jenë pikërisht personat që kanë kryer akte dhune gjatë protestës dhe janë arrestuar.

Deputetët e PD-së, Flamur Noka, Klevis Balliu dhe Enkelejd Alibeaj kanë shkuar në Drejtorinë e policisë së Tiranës, të shqetësuar në lidhje me këto arrestime të qytetarëve. Ata kërkuan të takojnë të ndaluarit, ndërsa policia ka refuzuar, e kjo ka sjellë përplasje mes palëve ku nuk munguan as shtyrjet e ndërsjellta.

Noka akuzoi krerët e policisë se në vend që t’i shërbejnë qytetarëve, ishin ulur duke pirë uiski dhe vodka. Deputeti demokrat shtoi se gjatë protestës dhunë nuk ka pasur.

“Dhunë nuk ka pasur, kjo ka qenë protesta më e madhe dhe më qytetare në këto vite të demokracisë. Njerëzit kanë shfryrë për qeverisjen Rama, për gjendjen. Sqarime? Do t’i marrin ata shumë shpejt. Qytetarët do t’ia japin.”, tha Noka për mediat.

Ndërkaq, këtë mbrëmje, Policia e Tiranës ka shoqëruar ish-drejtorin e policisë bashkiake në kryeqytet, Florenc Hoxha. Disa prej tyre më pas, u arrestuan pasi dyshohen si përgjegjës për shkaktimin e incidenteve.

PD dënon dhunën policore ndaj protestuesve

Partia Demokratike dënon me forcë ushtrimin e dhunës policore ndaj kundërshtarëve politikë. Rrahja dhe keqtrajtimi i protestuesve prej policisë politike nuk ka për ta shpëtuar dot kryehajdutin Edi Rama dhe pushtetin e tij të blerë me paratë e krimit të organizuar.

Secili prej anëtarëve të Policisë Politike që, në shkelje të ligjit, po shoqëron, dhunon dhe po ushtron presion ndaj protestuesve, do të mbajë përgjegjësi personale. Ne nuk do ta harrojmë këtë!

PD falenderon çdo qytetar pjesëmarrës në protestë, që sakrifikoi sot diçka nga vetja për t’i shërbyer misionit madhor të çlirimit të qeverisjes nga një grusht hajdutësh, oligarkësh dhe kriminelësh, që ka marrë peng vendin.

16 Shkurti është fillimi i betejës për çlirimin e vendit nga Kryeministri hajdut.  Fundi i tij është i pakthyeshëm!  Shqiptarët treguan sot se, të bashkuar, mund ta mposhtin të keqen! E enjtja është shumë afër.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë