Pas thuajse 5 orësh, opozita e ka mbylllur qëndresën e saj të fortë me protestuesit e saj gjatë ditës së sotme përballë Kryeministrisë. Kreu i qeverisë Edi Rama reagoi në Tëitter pas përfundimit të protestës së opozitës.
Në rrjetin social ai pati 3 mesazhe: një për protestuesit, një për vlonjatët dhe një për Policinë e Shtetit.
“Për Protestuesit: Është faji i atyre që ju tërheqin nga hunda apo juaji që akoma i ndiqni pas ata udhëhumbur? Për Vlonjatët: Sot ju i ritreguat Shqipërisë atë që dini më mirë, anën e duhur të historisë! Për Policinë e Shtetit: Ishte dita për të bërë dallimin e madh. Ju e bëtë”, shkruan Rama.
Protesta e opozitës u mbyll gjatë mesditës së sotme, ndërsa kryedemokrati Lulzim Basha ka paralajmëruar një tjetër të enjten e ardhshme.
Basha: Rama nuk është më kryeministër

Pas mbylljes së protestës, kreu demokrat Lulzim Basha ka folur nga selia e PD-së. Ai falënderoi pjesëmarrësit në protestë, duke shtuar se puna e nisur duhet çuar deri në fund. Basha u bëri thirrje që të mblidhen sërish të enjten, deri në rrëzimin e qeverisë.
“Sot kam një falenderim për gjithsecilin prej jush dhe për ata qindra-mijëra qytetarë që na u bashkuan. Falë mundit dhe sakrificës tuaj, Edi Rama nuk është më kryeministër
Ai nuk është më kryeministër para syve të shqiptarëve. Miqtë e mi, puna që nisëm sot duhet çuar deri në fund, ky është vetëm fillimi I 16 shkurtit, do ta shikoni. Mirupafshim të enjten”, deklaroi Basha.
Kryemadhi: Rama frikacak, nuk ka parë gjë akoma!

Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi, në një deklaratë për mediat, ka falënderuar pjesëmarrësit në protestë. Ajo theksoi se gazi lotsjellës i Ramës nuk i tremb shqiptarët, duke u bërë thirrje që ta çojnë deri në fund qëllimin e tyre, rrëzimin e kryeministrit.
“Sot filloi rrënimi i botës së krimit që përfaqësohet nga Edi Rama. Do të vijnë ditë më të bukura për shqiptarët. Me dorë në zemër u falënderoj për pjesëmarrjen paqësore dhe që nuk u bëtë pre e provokimeve të Edi Ramës. Sot u përballuan mbi 20 herë sulmet me gaz lotsjellës. Gra dhe vajza lotonin nga gazi. Gazi nuk helmon dot shpirtin e shqiptarëve. Edi Rama ka ikur, ta çojmë deri në fund këtë rrugë që kemi nisur”, deklaroi Kryemadhi.
Sipas Kryemadhit, Rama nuk e mund dot popullin e tij jo me me gazlotësjellës dhe plumba gome por edhe sikur të marrë të gjithë arsenalin bërthamor të Bashkimit Sovjetik dhe SHBA-së.
“Sot Edi Ramës shqiptarët i treguan se mund të përdorë çdo lloj arme por ata nuk i tut dot. Edi Rama tregoi edhe njëherë se është frikacak por është edhe vetëm. Sot Edi Rama mori një mësim shumë të mirë por mësime të tjera e presin akoma më shumë. Nuk ka parë gjë akoma! Jo gazlotësjellës, jo plumba plastikë të përdorë ndaj qytetarëve por sikur dhe gjithë arsenalin bërthamor të Bashkimit Sovjetik dhe të SHBA ta mbledhë kundër popullit të tij ai nuk mund ta mundë dot. Nuk është Edi Rama nga ata burra që mund dot popullin e tij”, u shpreh Kryemadhi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




