Kinema

’97 dhe yjet e kinemasë shqiptare në një film spanjoll

Aktorët Tinka Kurti dhe Viktor Zhusti në filmin spanjoll "The Invocation of Enver Simaku".

Shqipëri 1997. Një imazh video, rrëqethës e i vjetruar, i shfaqet çdo natë si një makth Julienit duke e zgjuar prej gjumit. Nata e 23 shkurtit të 1997-s, ishte mbrëmja e rebelimit të Vlorës, ajo kryengritje e njohur që e vendosi Shqipërinë në prozhektorët e vëmendjes së botës, për disa ditë. Por Vlora ishte 180 kilometra nga Mesopotami. Arsyeja se ç’po ndodhte atje ishte e ndryshme. Çfarë ndodhi atë natë? Kë panë? Çfarë menduan? Kë zgjuan? Pas gati njëzet vjetësh nga vrasja e gruas së tij Angelës, ai vendos të kthehet në Shqipëri i vendosur të hetojë mbi vdekjen e saj mes një deti regjistrimesh të pabesueshme, dosjesh policore e vizionesh të Botës së Përtejme.

Është ky subjekti i filmit të regjisorit spanjoll Marco Lledó Escartín, “The Invocation of Enver Simaku” apo “Zgjimi i Enver Simakut”,  i pari produksion spanjoll i xhiruar në Shqipëri e ku marrin pjesë një kastë e gjerë aktorësh shqiptarë si Tinka Kurti, Margarita Xhepa, Piro Milkani, Viktor Zhusti, Ema Andrea, Laert Vasili dhe Lulzim Guhelli.

Gjatë xhirimeve të filmit

Filmi, i cili i nisi xhirimet në Shqipëri tre vjet më parë dhe përfundoi së realizuari më 2018-n, vjen në kinemanë “Millenium” në kryeqytet, në parapremierën komerciale botërore mundësuar nga Ambasada e Spanjës në Tiranë. Të pranishëm gjatë shfaqjes, bëjnë të ditur nga ambasada spanjolle, do të jenë edhe një pjesë e trupës shqiptare, aktori spanjoll Julien Blaschke dhe regjisori i filmit Marco Lledó Escartin.

Viktor Zhusti dhe Tinka Kurti në sheshxhirimin e filmit spanjoll

Kjo shfaqje vjen pas premierës ndërkombëtare në Festivalin e Filmit Fantastik Sitges dhe pas Tiranës do të shfaqet edhe për publikun spanjoll. Ky është filmi i parë i kineastit dhe producentit nga Valencia, Marco Lledó Escartín, i cili zgjodhi pikërisht historinë e një gazetari spanjoll që kthehet në Shqipëri 20 vjet pas vdekjes së të shoqes për të zbuluar misterin pas vdekjes së saj. Kineasti e përshkruan si një përzierje të realitetit dhe trillimit.

Aktorja Margarita Xhepa, gjatë xhirimeve të filmit "The Invocation of Enver Simaku"

Arsyen se përse zgjodhi pikërisht Shqipërinë për të vendosur sfondin e ngjarjeve që ndjek filmi i tij “Zgjimi i Enver Simakut”, kineasti e gjen tek një udhëtim i të atit, gjatë periudhës komuniste.“Gjithçka zë fill me një udhëtim të tim eti në vitin 1978, kur ishte pjesë e një delegacioni të Partisë Komuniste Marksiste Leniniste, linja e fortë e të majtës antifrankiste. Ai udhëtim i la një mbresë të pashlyer. Një mbresë që ma ka transmetuar përgjatë viteve dhe që më ka frymëzuar si rrallëherë”, do të kujtonte Lledó Escartín.

"Kë panë? Çfarë menduan? Kë zgjuan?

https://www.youtube.com/watch?v=xBdofYlHslM

Ai e vizitoi Shqipërinë më 2005-n për herë të parë, me bashkëshorten e tij të ardhshme atëkohë dhe drejtore fotografie në këtë film. “Çuditërisht edhe marrëdhënia jonë lindi prej atij udhëtimi. E kështu nisa të tjerr mbi këtë vend një lloj mistike të veçantë që më lidh me të. Është një vend, ku më pëlqen të kthehem. Kam bërë plot miq. Ndjehem thjesht në shtëpi”, thotë regjisori, të cilit ashtu si edhe shumë të huajve që vizitojnë Shqipërinë për arsye nga më të ndryshme, i ka bërë përshtypje mikpritja. “Ka një frymë të përgjithshme në Shqipëri, që ndryshe nga Spanja, bën që gjërat të ndodhin më shpejt. Në një mënyrë më të improvizuar ndoshta. Më të shpejtë, më pak burokratike.”

Aktorja Tinka Kurti dhe aktori spanjoll Ferran Gadea

Regjisori ka folur edhe për marrëdhënien e krijuar nga bashkëpunimi me aktorët e njohur shqiptarë si edhe me përfshirjen e regjisorit Milkani në një rol në këtë film. “Tinka Kurti, Margarita Xhepa, Piro Milkani, Viktor Zhusti, Laert Vasili, Ema Andrea magazinojnë famë e çmime në atdheun e tyre dhe në vende të tjera të Europës Lindore”. Kontaktet me atë që i quan si ajka e kinematografisë shqiptare, i arriti falë dy producenteve shqiptare që e ndihmuan me projektin.

“Tinka Kurti, Margarita Xhepa, Piro Milkani, Viktor Zhusti, Laert Vasili, Ema Andrea magazinojnë famë e çmime në atdheun e tyre dhe në vende të tjera të Europës Lindore” - Marco Lledó Escartín

Laert Vasili dhe Julien Blasckhe

Ai rrëfen se u befasua dhe intrigua më tej nga metodologjia e punës së aktorëve të vjetër. “Japin shpirtin, pa i dhënë rëndësi përmasave të projektit. Janë të përzemërt, kërkues, ndonjëherë kryeneçë. Janë yje, vërtet. E si të tillë kanë një fuqi ndriçuese që nuk e kisha njohur më parë. Bëjnë që filmi të arrijë një nivel që as nuk e kisha imagjinuar para se të filloja...”

Kineasti Lledo Escartin në postproduksionin e filmit "The Invocation of Enver Simaku"

Kineasti ka folur gjithahsut edhe për periudhën e xhirimeve në Shqipëri, të cilën e kujton jo si një fushë me lule. “Rregulli i parë që duhet të dish është që je duke xhiruar në Shqipëri. Që është një vend i zhurmshëm. Që ritmet e qarkullimit janë të tjera. Zakone të tjera. Që në gjithçka rastësia është shumë më e pranishme nga ç’jemi mësuar ta njohim në Spanjë”.

Kjo e bën që vendi, veçanërisht zonat rurale, t’i duken të veshura me mister. “Një mister që ia vlen ta shfrytëzosh e ta luash në favor. Është e rëndësishme të jesh i hapur ndaj ndryshimeve, ndaj të papriturave”, thotë, duke përfunduar se do ta përsëriste pa asnjë mëdyshje përvojën në Shqipëri dhe se ndryshe nga mënyra sesi realizohen projektet në vendin e tij, këtu pati magji...


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë