Biznes

96 mijë turistë në Shqipëri vetëm gjatë janarit. Rriten me 50% netë qëndrimet

Numri i turistëve që vizituan Shqipërinë gjatë janarit 2024 raportohet pothuajse 96 mijë, me një rritje 27% nga janari i shkuar.

Sipas INSTAT, rreth 47 mijë e vizitorëve ishin rezidentë dhe 49 mijë jo-rezidentë.

Paralelisht u rrit edhe numri i netë qëndrimeve që rezulton 50% më i lartë se në janarin e 2023-shit, përkthyer në pothuajse 170 mijë netë qëndrime.

Netë qëndrimet për rezidentët raportohen rreth 75 mijë, ndërsa për jo-rezidentët rreth 95 mijë.

Të ndara sipas rajoneve, ai qendror rezulton më i preferuar, me 63% të netë qëndrimeve. Hotelet dhe të ngjashme mbeten lloji më i përdorur i akomodimit, ndërkohë që vërehet një rënie e interesit për hapësirat në natyrë.

Shqiptarët e Kosovës dhe italianët ishin vizitorët kryesorë të Shqipërisë gjatë janarit, respektivisht 14.3% dhe 13.3% ndaj totalit. 3.4% ishin nga Gjermania dhe 2.5% nga Mbretëria e Bashkuar.

Gjatë këtij muaji, norma e shfrytëzimit të dhomave të “Hoteleve dhe akomodimeve të ngjashme” është 14.2%, kundrejt 8.6% që ishte në muajin Janar 2023. Norma e shfrytëzimit të shtretërve të “Hoteleve dhe akomodimeve të ngjashme” është 14%, kundrejt 7.2% që ishte në muajin Janar 2023.

Normat neto të shfrytëzimit, të dhomave dhe të shtretërve, janë dy tregues të cilët masin përqindjen e shfrytëzimit të kapaciteteve akomoduese, dhoma e shtretër të disponueshëm për vizitorë.

Në publikimin e parë mbi këtë temë për vitin 2024, INSTAT njofton se të dhënat e Anketës së Strukturave Akomoduese janë mbledhur nëpërmjet vrojtimit tërësor pranë këtyre strukturave përkundrejt vrojtimit me kampionim që përdorej në vitet paraardhëse.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë