Njerez

86-vjeçarja që thur gjinj për të prekurat nga kanceri

Pat Anderson, 86 vjeç nga Escondido mban dy nga aksesorët, që ka thurur me shtiza për të mbijetuarat e kancerit të gjirit, të cilat u janë nënshtruar mastektomisë. (Charlie Neuman / San Diego Union-Tribune)

Pam Kragen - Pat Anderson ka një problem. Është problem i mirë, por të cilin duhet ta zgjidhë shpejt. Tri javë më parë,  projekti i thurjes me shtiza i 86-vjeçares nga Escondido u bë viral dhe ajo u bombardua me qindra kërkesa për punën e saj, nga i gjithë vendi.Misioni i Andersonit është të thurë mbushje reçipetash në formë gjinjsh, të cilat i quan “Busters”. Me shpenzimet e saj,  stilistja veterane e tekstileve i bën vetë jastëkët e lehtë sintetikë me fije dhe mikrofibra dhe ua poston grave, si ajo, të cilat u janë nënshtruar mastektomisë si rezultat i kancerit të gjirit. Që prej janarit të 2017-ës, ajo ka dorëzuar më shumë se 300 palë të tilla si pjesë e projektit të saj të daljes në pension, të   cilin e  quajti “Lidhja e Motrave të Mrekullive pa gjinj”. Çdo grua që merr një palë mbushje për gjinjtë, bëhet anëtare e kësaj Lidhjeje.

Kur historia e Andersonit, u shfaq fillimisht në  “San Diego Union-Tribune”, më 16 shtator, ajo kishte më shumë se 100 palë të përfunduara, në magazinën e shtëpisë, por nuk kishte marrëse. Që prej asaj dite, historia u mor e u rimorr nga gazeta dhe uebsajte në të gjithë vendin. Kërkesat nisën të rridhnin derisa e boshatisi magazinën, pati edhe 100 kërkesa të tjera dhe çdo ditë i vijnë së paku 10 kërkesa të reja. “Lëshoi një stuhi”, thotë Anderson. “Nuk isha e përgatitur për një përgjigje të tillë, por kjo më tregon se kanë shumë rëndësi për shumë njerëz.” Anderson ka thënë se është e tejmbushur me porosi përmes postës elektronike dhe përpjekjet për t’i paketuar dhe dërguar, i marrin nga koha e thurjes me shtiza, ndërsa lista e kërkesave vetëm sa rritet.

Që t’i përgjigjet ritmit të kërkesave, po organizon një grup ndihmësesh të cilat i thërret “Boob Babes” (Vogëlushet e Gjinjve) . Aftësitë e tyre në thurje duhet të jenë të mira, por ka edhe një kërkesë tjetër: duhet të jenë të mbijetuara të kancerit të gjirit. “Kam shumë thurëse të mrekullueshme dhe zonja të kishës që duan modelin për t’i realizuar këto, por është e rëndësishme që të jenë nga  “ne”, thotë ajo. “Është një dhuratë nga një e mbijetuar për një tjetër. Për këdo tjetër do të ishte thjesht një projekt thurjeje dhe  bamirësi.”

Përpara se të dilte në pension, Anderson kishte kaluar 50 vjet si stiliste fibrash dhe artizane. Ajo thotë se gjithnjë parapëlqente dizajnin funksional mbi artin pamor të fibrave, sepse është krijuar për t’u prekur. “Është një formë komunikimi kur punon me artikuj të bërë me dorë, për shkak se e gjithë energjia është fokusuar atje;  del nga duart dhe materializohet”, ka thënë ajo.Anderson luftoi dhe e mundi kancerin e gjirit më 2006-ën, por gjatë betejës i humbi të dy gjinjtë. E palumtur me peshën dhe dizajnin e protezave të gjinjve  prej silikoni, ajo ndenji pa to për shumë vite, derisa zbuloi të thurte mbushjet. Dy vjet më parë, zhvilloi një model të sajin, që merr formë natyrshëm, i sheshtë nga pas dhe ka një hapje ku përdorueset mund të rregullojnë vetë sasinë e mbushjes prej mikrofibrash,  për masa të ndryshme gjoksi.

Ajo ka marrë me qindra pusulla  falënderimi dhe kartolina nga gratë, të cilat e lëvdojnë fleksibilitetin e përshtatjes së “Busters”-ave.  Shumë i dërgojnë asaj donacione, të cilat i përdor për postimet  dhe porositë e  reja. Gjatë javëve të fundit, ka marrë kërkesa nga Illinois, Alabama, Georgia, Washington, Idaho  dhe të tjerë. Anderson  ka rekrutuar katër  Boob Babes” – siç i ka pagëzuar ajo –deri  tani të cilat i furnizon me fill dhe modele falas. Ajo gjithashtu shpreson të gjejë një vullnetare për të proceduar me kërkesat, në mënyrë që t’i kthehet sërish shtizave.  Të mbijetuarat e kancerit të gjirit me aftësi në thurje me shtiza mund të bien në kontakt me Anderson përmes e-mailit të [email protected].“Ka qenë furtunë, por edhe mrekulli  njëherazi”, thotë Anderson. “Letrat që kam marrë kanë qenë kaq mallëngjyese. Më kanë prekur.”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë