Lajme

8 mld euro që Franca të jetë prodhuesi më i madh i makinave ekologjike në Europë

Presidenti Emmanuel Macron ka deklaruar të martën një plan prej 8 miliardë eurosh që ka si synimin shndërrimin e Francës në prodhuesin më të madh të Europës përsa i përket makinave ekologjike.

Impiantet e prodhimit të makinave tani po rinisin prodhimin pas izolimit prej koronavirusit, i cili e ka goditur këtë industri shumë rëndë. Macron dëshiron të nxisë prodhimin e makinave elektrike e kështu, sipas tij, mund e të ringrihet industria e makinave në Francë.

Modeli elektrik i kompanisë Renault Zoe

“Ne kemi nevojë për një objektiv që të na mbajë të motivuar. Ne do ta shndërrojmë Francën në prodhuesin kryesor të makinave të pastra (ekologjike) duke mundësuar një prodhim prej më shumë se 1 milionë makinash elektrike dhe hibride çdo vit gjatë pesë viteve të ardhshme”, shprehet Macron.

Për t’u arritur ky objektiv presidenti i Francës ka thënë se do të rrisë subvencionin e shtetit nga 6,000 euro në 7,000 euro për secilin konsumator që vendos të blejë makinë elektrike.

Por Macron nuk ka harruar të ndihmojë dhe firmat e shitjeve të makinave me pakicë të cilët gjatë periudhës së karantinimit nuk kanë mundur dot të shesin makinat tradicionale me naftë e benzinë. Kështu lideri i Francës është shprehur se dhe ata që do të blejnë një makinë tradicionale (me benzinë apo naftë) do të marrin një bonus (apo subvencion) nga shteti prej 3,000 eurosh.

Presidneti Emmanuel Macron në vizitën e tij në fabrikën Valeo në veri të Francës

“Bashkëqytetarët, tanë të dashur, duhet që të blejnë më tepër makina dhe në veçanti më tepër makina të pastra. E kjo gjë nuk duhet të ndodhë pas dy, pesë apo dhjetë viteve, por tani”, ka thënë Macron pas një vizite të një fabrike të prodhimit të pjesëve të makinave në veri të Francës.

Ai gjithashtu ka shtuar se as edhe një pjesë e makinave nuk duhet prodhuar jashtë kufijve të Francës.

Renault e cilat prodhon modelet e makinave elektrike Zoe në Francë është zotuar që të nisë prodhimin e modeleve të ardhshëm elektrikë në bashkëpunim me Nissan-in në Francë e jo në Azi siç ishte zotuar më parë.

Autobuz elektrik në Francë

Marcon ka thënë gjithashtu se qeveria nuk do ta mbështesë kompaninë Reanault me kredinë shtetërore të planifikuar prej 5 miliardë eurosh, gjersa menaxherët e kompanisë të gjejnë gjuhën e përbashkët me sindikatat e punëtorëve francezë.

Franca ka qënë për vitin 2019 prodhuesja më e madhe e makinave elektrike dhe hibride, me thuajse 240,000 makina të prodhuara. Por të dhënat e analizat nga kompania e statistikave IHS tregojnë se ky kryesim pritet që t’i kalojë Gjermanisë gjatë këtij viti 2020.

Burimi Reuters, përshtati në shqip Gazeta “Si”.

Ky material nuk lejohet të kopjohet, apo riprodhohet pa miratimin e Gazetës “Si”. Ai është pronë intelektuale e gazetasi.al dhe si i tillë mbrohet nga ligji.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë