Biznes

78 % e bizneseve: Energjia e shtrenjtë ndikon në produktivitetin e ulët

78% e bizneseve mendojnë se çmimet e larta të karburanteve dhe të energjisë elektrike ndër shkaqet kryesore për shkallën e ulët të produktivitetit dhe konkurencës të prodhimeve dhe shërbimeve te tyre.

Gjetja është e anketës së përvitshme të realizuar nga Qendra e Studimeve të Konfindustrisë në periudhën kohore nëntor-dhjetor 2019.

Bizneset kanë vlerësuar si negativë në produktivitetin dhe konkurueshmërinë e tyre në treg tregjet e mbylluara/ monopolet, korrupsionin, infrastrukturën, legjislacionin e dobët, politikat ekonomike, tregtare, fiskale, kreditimin, sigurinë, etj.

Nisur nga anketimi, Konfindustria sugjeron se vendimarrja politike duhet të mendojë seriozisht dhe sa më shpejt për ristrukturimin e plotë dhe përmirësimin e sektorëve të karburanteve dhe energjisë elektrike.

“Shqipëria prej një kohe të gjatë rradhitet ndër vendet e para në botë për çmimin e lartë dhe cilësinë e ulët të karburanteve.

Më shumë se 60% e çmimit fundor të karburanteve e përbëjnë taksat dhe tatimet shtetërore. Shmangiet fiskale shoqëruese të cilësisë së dobët të karburanteve në qarkullim si pasojë e kontrollit shtetëror të pamjaftueshëm e bën gjendjen edhe më shqetësuese.”- citohet në sugjerimet e Konfindustrisë.

Sipas saj, çmimi i energjisë elektrike për bizneset është nga më të lartët në rajon, duke ndikuar drejtpërdrejte në kostot dhe uljen e shkallës së konkurueshmërisë së prodhimeve dhe shërbimeve të markës “ Made in Albania”.

Çmimet e larta të energjisë dhe karburanteve krahasimisht me vendet konkurente në rajon dhe më gjerë, thotë Konfindustria, godasin drejtpërdrejt tërheqjen e investimeve të vendit dhe të huaja, shtojnë ndjeshëm rrezikun e falimentimeve në rradhë të parë të industrive dhe pengojnë zhvillimin ekonomik në afatgjatë të vendit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë