Njerez

75 mijë shqiptarë morën leje qëndrim në një nga vendet e BE-së gjatë 2023

Nga Gazeta 'SI' - 75 mijë shqiptarë fituan leje qëndrimi në një nga vendet e BE-së gjatë vitit 2023.

Eurostat raporton se Italia dhe Greqia janë dy vendet që lëshuan numrin më të lartë të leje qëndrimeve për emigrantët shqiptarë. Sipas shifrave, ky është numri më i lartë ndonjëherë, në 14 vitet e fundit.

Në dy vitet e fundit, numri i leje qendrimeve arrin në 154 mijë në total.

Vetëm ata që kanë marrë leje qëndrimi për herë të parë në BE për periudhën 2011-2023 ishin rreth 660 mijë persona, sipas të dhënave të Eurostat. Ndërkohë për të njëjtën periudhë, INSTAT raporton se Shqipërisë i kanë ikur 400 mijë persona.

Në total, Eurostat thotë se vendet e BE-së lëshuan 3.7 mln leje qëndrimi gjatë vitit 2023, me rritje 5% nga një vit më parë.

Punësimi mbeti arsyeja kryesore për dhënien e lejeve të qëndrimit në vitin 2023, duke zënë 33.8% (1.3 milionë) të të gjitha lejeve të qëndrimit të lëshuara, duke treguar një rënie modeste krahasuar me vitin 2022 (-0.4%; -4 662).

Arsyet familjare përbënin 26.4% (986 453) të të gjitha lejeve, duke reflektuar një rritje prej 6.4% (+58 943) krahasuar me vitin 2022. Arsyet e tjera, duke përfshirë mbrojtjen ndërkombëtare, përbënin pothuajse të njëjtën peshë (25.6%; 956 646), me një rritje prej 5.3% (+48 406). Arsyet arsimore përfaqësuan 14.3% (534 558) të të gjitha lejeve të para të qëndrimit, duke përfaqësuar rritjen më të madhe të përgjithshme prej 13.5% (+63 674).

Në vitin 2023, numri më i madh i lejeve të qëndrimit për herë të parë iu dha qytetarëve të Ukrainës (307 313), të ndjekur nga Bjellorusia (281 279) dhe India (207 966).


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë