Biznes

70 mijë biznese do të ulin qepenat, refuzojnë fiskalizimin e kripur

Agimi ka një biznes ushqimor në Tiranë. Ai gjithashtu ka marrëdhënie biznesi me një zotëri nga një fshat i thellë i Shkodrës të cilit i shet artikuj ushqimorë.

Ai druhet se me sistemin e ri të deklarimit do të falimentojë.

“Zotërisë në fshatin e Shkodrës nuk i mbërrin interneti dhe nuk e njeh fare teknologjinë. Ai ble aq artikuj sa plotëson nevojat e shtëpive përreth tij. E unë, për mos lëshim të kuponit zotërisë në Shkodër gjobitem herën e parë 1 mln lekë të vjetra dhe herën e dytë për përsëritje dy-fishin derisa ta mbyll biznesin. Unë nuk jam dakord me ligjet e reja që u miratuan në parlament. Nuk kam mundësi të instaloj sistemin e ri, të mësoj teknologjinë e re e të ha gjoba”- shprehet për gazetën “Si” Agimi, i cili e zotëron biznesin e tij prej gati 30 vitesh.

Në fakt biznesi i vogël e ka nisur rrugën e tij drejt refuzimit të sistemit të ri fiskal.
Në një komunikim me gazetën “Si”, kreu i Shoqatës së Biznesit të Vogël Albert Nasto, thotë se do të nisim refuzimin në mënyrë të përshkallëzuar deri sa ta shpiem çështjen në Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut në Strasburg.

Sipas Nastos, deri më 15 janar ata do të vijojnë një fushatë sensibilizuese në medie që ka nisur tashmë duke i kërkuar qeverisë të reflektojë mbi sistemin e ri të fiskalizimit për të bërë zero koston ndaj bizneseve të vogla dhe periudha e përshtatjes të jetë dy vjet.
Mandej, thotë Nasto, nëse qeveria nuk reflekton do të ulim qepenat në të gjithë Shqipërinë.
Historia e protestave të biznesit ka treguar, shprehet Nasto, që kemi qenë të unifikuar që në kohën e Berishës për kasat fiskale të asaj kohe.

Albert Nasto, Kreu i Shoqatës së Biznesit të Vogël dhe të Mesëm

“Ne parashikojmë që të paktën 70 mijë biznese të prekur nga paketa fiskale 2020 do ta refuzojnë atë”- thotë Nasto.

Hapi tjetër sipas tij do të jetë refuzimi i sistemit të ri, mosinstalimi deri në shpënien e çështjes në Gjykatën e të Drejtave të Njeriut në Strasburg.

“Biznesi i vogël, pra me xhiro vjetore 80 mln lekë të vjetra dhe me 1-4 punëtorë do të falimentojë me paketën e re fiskale. Gjobat janë rritur progresivisht. Nëse unë si biznes deri tani për një lëshim kuponi gjobitesha 50 mijë lekë të reja, në 1 janar 2020 do të gjobitem 100 mijë të reja. Po ashtu edhe për vonesë të pagesës së sigurimeve shoqërore e çdo penalitet tjetër. Për sistemin e ri fiskal; ne nuk kemi mundësi reale. Ne e kemi pyetur ministrinë dhe nuk na është përgjigjur për koston. Kanë bërë tenderin në mënyrë të fshehtë dhe ne 5 ditë më parë mësojmë që kostoja do jetë 1300 euro, plus 300 euro mirëmbajtje, blerje aparaturash. Ku kemi ne? Ku dimë ti përdorim?”- pyet Nasto.

Për të gjithë kjo është bërë për të përfituar koncesionari. “Nuk ka patur konkurentë të tjerë në tenderin e fshehtë, përpos atyre që kanë fituar. Kjo është kriminale për biznesin.
Nga viti 2014-Gusht 2019 sipas Nastos janë mbyllur mbi 88 mijë biznese kryesisht të vegjel dhe të mesëm.

Burimi: Drejtoria e Përgjithshme e tatimeve

Ai shpjegon se sipas analizës që ka bërë Shoqata shkaqet janë :

1-Çmimi i energjisë elektrike më i larti në rajon dhe Europë.
2-Çmimi i karburantit po gjithashtu më i larti në Europë dhe ndoshta në botë .
3- Çmimi i lartë i ujit i papërballueshëm dhe për mbi 70% e biznesit me orar të reduktuar.
4- Taksat dhe tarifat në 5- vitet e fundit janë rritur nga 2-7 herë në pushtetin lokal.
5- Numri i lartë i taksave (35) dhe kostoja e lartë financiare e tyre.
6- Jemi vendi me korrupsionin më të lartë në rajon.
7-Shkalla e lartë e evazionit fiskal
8-Ndryshimet e shpeshta të sistemit tatimor (70) herë.
9- Situata politike në vend.
10- Gjoba të shpeshta dhe selektive nga administrata shtetërore.
11-Projekti korruptiv i zëvendësimit të kasave fiskale
12- Futja e biznesit të vogël në sistemin e TVSH ishte projekti më shkatërues për biznesin dhe pa rezultat në buxhetin e shtetit.
Paketa fiskale tashmë ka kaluar në parlament dhe fiskalizimi e sistemi i gjobave tashmë është një fakt.

Nasto thotë se përpos shqetësimeve të mësipërme, por jo se renditet i fundit, është edhe shqetësimi për të dhënat personale të biznesit që do të administrohen nga koncesionari. Kjo thotë Nasto bie ndesh me kushtetutën dhe ligjet në fuqi.

Gjatë diskutimeve në Komisionin e Ekonomisë pak ditë më parë, Drejtori i Përgjithshëm i Kompanisë së kasave AED, Bledar Balla, përllogariti në total koston që mbërrijnë deri në 1300 euro. “Një kompjuter sot, me çmim tregu është afërsisht 250 euro, printeri jo-fiskal është diku te 100 euro, licenca e Windows 110 euro, një UPS 30 euro, licenca për një soft normal shitjeje përllogaritet rreth 200 euro, një antivirus 15 euro në muaj, linja e internetit 100 euro në vit, dhe certifikata digjitale 6000 lekë çdo vit. Pra, për të hapur një pikë me kompjuter dhe program duhet të paguajmë 1200-1300 euro”, do të deklaronte Balla.

Kostot do të rriten më tej, duke marrë parasysh mirëmbajtjen e sistemit.

Sipas Myrvete Pazaj, drejtore ekonomike DAISY & ETM, “Duke mos marrë parasysh kostot që do të vijnë ndër vite, vetëm hapja e biznesit, në momentin e parë të sistemit të integruar, shkon rreth 1265 euro, ndërsa ka dhe pluse të tjera. E kemi blerë softin 1000 euro dhe kontrata e mirëmbajtjes është 350 euro në vit”. Për bizneset një tjetër pengesë është edhe mosdhënia e garancisë në luftën kundër informalitetit.”

Sipas Ballës, nëse nuk ka internet ose linjë komunikimi, informacioni do të mbetet në kompjuterin në të cilin është aktualisht sot (në kompjuterin e tatim-paguesit) dhe me një program (malware, me ndryshim të dhënash) mund të fshihen këto informacione.

Për fiskalizimin u bë tender me vlerë afro 1.9 miliardë lekë i organizuar nga Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit është fituar nga një bashkim i tre kompanive, dy nga të cilat janë shqiptare dhe një është kroate. Rezultati i tenderit, i cili u shpall në Agjencinë e Prokurimit publik në fund të vitit të kaluar, bëri të ditur se tenderi me fondin limit 1,9 mld euro, i fituar nga kompanitë shqiptare Jehona e Datech si dhe kompania kroate Neos d.o.o. shifër e barabartë me 99.75% të fondit limit.

Fitimi i tenderit nga një kompani kroate ishte paralajmëruar nga Partia Demokratike në muajin shtator, kur tenderi sapo ishte hapur. Në një konferencë për shtyp më 22 shtator 2018, dy ish-deputetët e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku dhe Endri Hasa, do ta cilësonin tenderin e tatimeve korruptiv, duke parashikuar se fituesi ishte një firmë kroate. “Faktet tregojnë se Edi Rama nuk është tërhequr nga vjedhja e biznesit që vepron në Shqipëri, për llogari të një firme kroate, besoj lidhjet me të cilën do të zbulohen së shpejti,” do të deklaronte asokohe Endri Hasa.

Ministria e Financave, siç do të shprehej edhe gjatë mbledhjes së komisionit nuk ishte në dijeni me kostot e deklaruara nga Biznesi i kasave. E paqartë për procesin, ajo ka vendosur që për biznesin e vogël implementimi të nisë nga janari 2021.

Por biznesi i vogël thotë se do të luftojë deri në fund për kosto zero të instalimit të sistemit të ri dhe implementimi të nisë pas dy vjetësh.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë