Ushqim

650 varietete të reja fasulesh që u mbijetojnë ndryshimeve klimatike

Mbushur me fibra dhe minerale, fasulet janë një burim jetik proteinash për njerëzit dhe një burim kyç i të ardhurave për fermerët. Por ndryshimi i klimës do të thotë se ky element kryesor është nën kërcënim.

Sipas një studimi të vitit 2016, deri në 60% të zonave ku rriten fasulet në Afrikën Sub-Sahariane mund të mos jenë të përshtatshme deri në fund të këtij shekulli.

Në një përpjekje për të mbrojtur të ardhmen dhe për të maksimizuar potencialin e kësaj kulture thelbësore, Aleanca Pan-Afrikane e Kërkimit të Fasuleve (PABRA) ka lehtësuar kërkimin, zhvillimin dhe shpërndarjen e mbi 650 varieteteve të reja të fasules në të gjithë Afrikën.

Në shtator PABRA u nderua me Çmimin Afrikan të Ushqimit prej 100,000 dollarësh, për punën e saj për të përmirësuar sigurinë ushqimore dhe të ardhurat për fermerët.

Nga fasulet e sheqerit në Zambi, tek fasulet e para në Nigeri, 32 vende në të gjithë Afrikën kanë parë përmirësime dhe fasule të ndryshme kanë arritur në tregjet e tyre, sipas PABRA. Jo vetëm që këto fasule të reja janë më ushqyese, por janë edhe më fitimprurëse për fermerët.

Në Etiopi, fasulet me kohë më të shkurtër mbjellje kanë më shumë se dyfishuar produktivitetin, thotë Jean Claude Rubyogo, drejtor i PABRA, që u themelua në vitin 1996.

"Kjo do të thotë që ju mund të merrni ushqim përpara se fasulet normale të bëhen për t’u mbledhur. Këto fasule sjellin fitime”, shpjegon Rubyogo.

Fasulet e PABRA gjithashtu duan më pak ujë dhe janë më të përshtatura ndaj modeleve gjithnjë e më të parregullta të motit. Janë më të afta për t'i bërë ballë periudhave të zgjatura të thatësirave dhe të lagështirës dhe kjo do të thotë më shumë të ardhura për 37 milionë fermerët që i kultivojnë ato në të gjithë kontinentin.

Drejtori i PABRA thotë se 300 milionë njerëz në të gjithë kontinentin hanë rregullisht fasulet e tyre. “Këto fasule kanë 22-23% proteina, kështu që janë një burim shumë i mirë proteinash për ata që nuk mund të përballojnë lloje të tjera. Ato sigurojnë fibra, karbohidrate dhe shumë pak lipide (përbërje yndyrore)”, thotë Rubyogo. Ato janë gjithashtu të larta në hekur dhe zink, mangësi në të cilat prekin më shumë se dy miliardë njerëz në mbarë botën, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

PABRA thotë se më shumë se pesë milionë familje në 10 vende kanë parë një rritje prej 30% në të ardhurat e tyre si rezultat i fasuleve.

Sigurimi i një grupi fasulesh të larmishme është thelbësore për zhvillimin dhe të ardhmen bujqësore të Afrikës, sipas Chike Mba, zëvendësdrejtor i prodhimit dhe mbrojtjes së bimëve në Organizatën e Ushqimit dhe Bujqësisë të OKB-së.

Ai thotë se një e pesta e Afrikës Sub-Sahariane është e kequshqyer dhe se për ta trajtuar këtë, fermerët duhet të kultivojnë një gamë më të gjerë kulturash, duke përfshirë fasulet.

Ai vë në dukje se pandemia dhe lufta në Ukrainë ndikuan të dyja Afrikën, me më pak oriz që vinte nga Azia në 2020 dhe rënie në importet e drithërave nga Evropa Lindore.

“Nëse pandemia do të kishte vazhduar, do e kishim urinë në një shkallë masive. Ka nevojë që vendet afrikane të rrisin aftësinë e tyre për të prodhuar ushqim”, thotë ai.

PABRA thotë se qeveritë duhet të ndihmojnë fermerët që të mbjellin lloje të ndryshme fasulesh.

Duke parë në të ardhmen, PABRA po hulumton se si të reduktojë kohën e gatimit të fasuleve deri në 30%.

“Që të ziejë një fasule duhet 2 deri në 3 orë, kjo kërkon kohë dhe energji”, thotë Rubyogo. Ai vlerëson se nëse hulumtimi është i suksesshëm, ai mund tu kursejë konsumatorëve 1.5 miliardë dollarë në vit.

Burimi: CNN. Përshtati: Gazeta Si.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë