Biznes

60 kompani serbe, interes për tregti me sipërmarrjet shqiptare

Janë 60 kompani serbe që kanë mbërritur në Tiranë në kuadër të Rrjetit Europian të Ndërrmarrjeve për një Forum B2B për të gjetur partnerë të mundshëm shqiptarë biznesi.

Koordinatorja që organizon dhe ndërmjetëson Forumin është Agjencia Shqiptare e zhvillimit të Investimeve .

Lorina Salaj nga AIDA

“Ky mision biznesi zhvillohet në kuadër të Rrjetit Europian të Ndërmarrjeve ose IEN. Rrjeti ka si synim kryesor tërheqjen e kompanive të huaja dhe gjetjen e partnerëve ndërkombëtar për kompanitë shqiptare. Sot kemi mbi 60 kompani serbe të cilat kanë ardhur dhe janë të interesuara të takojnë partnerët shqiptarë. Në të njëjtën kohë kemi 50-60 kompani shqiptare të cilat kanë shprehur interesin e tyre për të qenë pjesë e kësaj ngjarjeje B2B.”- shprehet Lorina Salaj nga AIDA për gazetën "Si".
Sektorët kryesorë që përfshin kjo ngjarje janë tekstilet, paketim, sektori automativ, agrobiznesi, plastika, etj.

Për Salajn, misioni dhe shpresa e Forumit është që të ketë sa më shumë marrëveshje partneriteti në kuadër të Rrjetit Europian të Ndërmarrjeve.
Sipas saj, aktualisht përmes Rrjetit Europian të Ndërmarrjeve ku Aida është koordinatore e rrjetit, janë krijuar marrëveshje partneriteti “të cilët i kemi gjetur dhe takuar përmes ngjarjeve të ngjashme në Shqipëri dhe jashtë saj.”

Aida është pjesë e Rrjetit që në vitin 2011. Ky rrjet, shpjegon Salaj, është shumë i rëndësishëm dhe gjatë këtyre viteve kemi patur eksperienca shumë pozitive e kompanitë vazhdojnë të shprehin interes.

Rrjeti funksionon përmes përgatitjes së profilit të kompanive shqiptare. Këto profile publikohen në data bazën kryesore ku janë publikuar profilet e bizneseve nga e gjithë bota.

Aty krijohet mundësia e vizibilitetit të kompanive ku ju jepet mundësia e shprehjes së interesit për partneritet me kompani të tjera nëpër botë në bazë të profilit të tyre.

Diana Jeremic, Dhoma Serbe e Tregtisë

Diana Jeremic, e cila përfaqëson Dhomën e Tregtisë së Serbisë, Valjevo e cila përmbledh 14 bashki në Perëndim të Serbisë thotë për gazetën "Si" se është e interesuar për partneritet në sektorët e industrisë, energjisë dhe minierave.

“Për mua është hera e parë në Tiranë. Ky është një organizim serioz dhe shumë i rëndësishëm për bizneset serbe. Ne shpresojmë që gjatë bisedimeve të gjejmë partnerë të mundshëm. Mendoj që është një rast shumë i mirë për të realizuar dhe shpënë përpara bashkëpunime të rëndësishme”- shprehet ajo.

Dhoma Serbe e Tregtisë

Sipas Jeremic, në të ardhmen sipërmarrësit që Dhoma të cilën drejton mund të investojnë në Shqipëri, por për momentin janë duke kërkuar partnerë për të krijuar marrëveshje multilaterale në fushën e tregtisë. (Metali, paketime, plastika, ushqimi, tekstili dhe bujqësia).


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë