Arsim

60% e fëmijëve të pakënaqur me arsimin gjatë pandemisë

Fëmijët janë gjithnjë e më të informuar për të drejtat e tyre për arsimin, por sipas të dhënave në tre qarqe të vendit vetëm një pjesë e tyre mendojnë se është realizuar e drejta e tyre për arsim gjatë pandemisë. 60 për qind e fëmijëve janë të pakënaqur me arsimin, rezulton në studimin “Zëri i të Rinjve-Covid 19” i realizuar nga “Save the Children” në bashkëpunim me Grupin e Drejtuar nga Fëmijët “Zëri 16 +”. Në studimin ku janë mbledhur të gjitha pikëpamjet dhe përvojat e fëmijëve dhe të rinjve mbi të drejtat tyre, kuptohet se pandemia ka penguar realizimin e të drejtës së tyre për arsim. Studimi u realizua në Bashkitë e Durrësit, Matit, Dibrës dhe Elbasanit ku u pyetën rreth 500 fëmijë. Të dhënat tregojnë se fëmijët e klasës së 6 mendojnë se të drejtat e tyre janë realizuar (rreth 40%), ndërsa vetëm rreth 20% e nxënësve të klasës së 10 mendojnë se e “drejta për arsim” është realizuar gjatë pandemisë.

Sipas gjetjeve faktorët thelbësorë që kanë ndikuar në këto opinione tek fëmijët janë cilësia e mësimdhënies online dhe vështirësitë për të kuptuar mësimin.
Fëmijët kanë raportuar së më së shumti kanë mësuar online nga telefoni(74%). Kompjuteri është përdorur nga 38% e fëmijëve. Gjithashtu 35% e tyre kanë ndjekur mësimet nga televizioni.
Shumica e të pyeturve kanë raportuar se nuk janë të kënaqur me cilësinë e mësimdhënies për shkak të mungesës së pajisjeve.

Mësimi online dhe cilësia e tij, sipas bashkive, në përqindje

Të dhënat tregojnë se fëmijët kanë mundësi të përdorin internetin më shumë se sa kompjuterin. Rreth 81% e tyre konfirmojnë se mund të përdorin internetin, vetëm 58% pranojnë se mund të përdorin kompjuterin. Gjetjet përcaktojnë se fëmijët në Bashkinë e Elbasanit kanë më shumë mundësi që të përdorin internetin, ndërsa fëmijët në të tre bashkitë e tjera kanë më pak mundësi. Shkalla e përdorimit të kompjuterit është më e lartë në Bashkinë Durrës dhe më e ulët në Mat (Figura 15).


“Vetëm 60% e fëmijëve kanë një dhomë personale (72% në Elbasan dhe 47% në Mat) dhe 73% e fëmijëve kanë mundësi të kenë një telefon celular ( 84% në Durrës dhe 64% në Dibër),” shkruan raporti.
Pavarësisht problemeve dhe situatës kritike, rreth 90% e fëmijëve arritën të përfundojnë me sukses vitin shkollor, fakti i cili konstatohet në tre bashki, me përjashtim të bashkisë Mat, në të cilën vetëm 70% e fëmijëve arritën të përfundojnë me sukses vitin shkollor. (figura 21).
Sa janë ndihmuar fëmijët në shtëpi për mësimin online?
Raporti tregon se vetëm 1/3 e fëmijëve kanë raportuar se ndihmohen rrallë në shtëpi për mësimet dhe më të shumtë janë fëmijët në Durrës dhe Elbasan. Diçka shqetësuese e raportit është se vetëm 16% e fëmijëve konfirmojnë se ata ndihmohen shumë rrallë edhe në shkollë, sidomos në Mat dhe në Dibër kjo e dhënë është më kritike, sepse përkatësisht 22 dhe 21% e fëmijëve mendojnë se ata ndihmohen shumë rrallë në shkollë.
Në një analizë më të thelluar sipas gjinisë dhe klasave, rreth opinioneve mbi mundësinë e zhvillimit të mësimit në mënyrë normale dhe efektive, rezulton se vetëm 23% e fëmijëve janë pozitivë rreth kësaj mundësie. Ndërsa fëmijët e klasës së 10-të nuk kanë besim në mundësinë e zhvillimit të mësimit në mënyrë efektive (11%).
Studimi konfirmoi se shumica e fëmijëve janë të bindur se situata ka ndikuar në mohimin e të drejtave të tyre. Është konstatuar se vetëm një numër i vogël i fëmijëve beson se mund të merren disa masa për të zvogëluar ndikimin negativ të situatës mbi të drejtat e fëmijëve.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë