Lajme

6 viktima, një prej tyre infermier dhe 135 raste të reja me Covid-19

Një infermier i Spitalit të Traumës është mes 6 viktimave nga Covid-19 në 24 orët e fundit në vend. 63 vjeçari nga Tirana vuante nga sëmundje bashkëshoqëruese, por nuk e fitoi dot betejën me koronavirusin. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, nuk ia dolën  edhe një 64 vjeçar nga Mati, një 71 vjeçare nga Divjaka dhe 3 qytetarë nga Tirana: një 77 vjeçar ; një 72 vjeçare dhe një 80 vjeçare.

Dr. Marjeta Dervishi nga Instituti i Shëndetit Publik tha se që nga fillimi i epidemisë janë mbi 10 mijë të prekur nga COVID 19,  prej tyre, 60%  janë të shëruar, ndërsa 3814 janë persona aktivë me COVID19.

“Nga 860 testime qe janë kryer në 24 orët e fundit, ku përfshihen përfshihen edhe testime të kryera në laboratorët jo publike, që përmbushin përkufizimin e rastit, për konfirmim diagnoze pozitive apo të dyshuara, sipas vlerësimit të ISHP, 135 qytetarë rezultojnë të prekur nga virusi SARS COV2. Ndërsa 94 qytetarë e kanë fituar betejën me virusin e rrezikshëm në 24 orët e fundit”, tha ajo.

Shpërndarja gjeografike e rasteve pozitive ditore është si vijon: 33 raste në Tiranë, 29 në Elbasan, 13 në Lezhë, 10 në Krujë, 7 në Lushnje, nga 4 raste në Durrës, Kamëz, Gjirokastër, nga 3 raste në Fier, Kurbin, Kavajë, Pukë, Berat, Librazhd, nga 2 raste në Vlorë, Mirditë, Pogradec, Sarandë, Kolonjë, nga 1 rast në Shkodër, Rrogozhinë, Gramsh.

“Ndërkohë në spitalin Infektiv dhe "Shefqet Ndroqi" po trajtohen 189 pacientë të konfirmuar pozitivë me COVID-19, 12 në terapi intensive nga të cilët 4 pacientë janë të intubuar”, tha ajo. 

Gjithashtu në dy spitalet COVID janë duke marrë shërbim të specializuar 17 qytetarë të cilët kanë qenë pozitivë me COVID-19 dhe aktualisht janë negativizuar, por po vijojnë të marrin trajtim spitalor për pasojat e sëmundjes.

Një pjesë e rasteve pozitive lidhen me grumbullime në ceremoni festive apo mortore ndërsa Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale apelon edhe një herë për më shumë kujdes për respektimin e rregullave të higjienës, vendosjes së detyrueshme të maskës në ambientet e mbyllura dhe respektimit të distancimit fizik.

COVID-19 – Statistika (5 Shtator 2020)

Testime totale               67057

Raste pozitive               10102

Raste të shëruara         5976

Raste Aktive                  3814

Humbje jete 312

(Qarku Tiranë 149, Durrës 41, Shkodër 36, Elbasan 19 , Fier 16, Korçë 12, Lezhë 12, Kukës 8, Vlorë 6, Dibër 7, Gjirokastër 4, Berat 2)

Shpërndarja gjeografike e rasteve aktive sipas qarqeve:

Tiranë                2054

Durrës                466

Shkodër               296

Lezhë                 204

Elbasan                154

Korçë                 135

Kukës                129

Vlorë                 125

Fier                        113

Berat                  69

Dibër                  35

Gjirokastër       34


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë