Njerez

Rrëfimi i familjarëve/ Historia e 56-vjeçarit nga Pogradeci që u kurua me para borxh në spital privat, por humbi jetën tek “Shefqet Ndroqi”

Të shpenzosh 26 mijë euro dhe të mos kesh sukses në terapi, kjo është historia e një 56-vjeçari nga fshatrat e Pogradecit i cili humbi jetën në spitalin Covid 2 "Shefqet Ndroqi" në Tiranë. 

Familjarët e tij tregojnë për Gazetasi.al, peripecitë që kanë kaluar prej dy javësh qëkur babai i tyre u prek nga koronavirusi.

"Ne jetojmë në fshatin Katjel në Pogradec. Babai në fillim u ndoq me mjekun e familjes për 10 ditë, por kur parametrat u përkeqësuan vendosëm ta transferojmë në një spital privat në Tiranë”, tregon një nga djemtë e pacientit 56-vjeçar i prekur nga Covid 19. 

Familjarët thonë se për 13 ditë me radhë kanë shpenzuar afro 26 mijë euro për kurimin e familjarit të tyre.

Ata tregojnë se të gjendur në vështirësi financiare, kanë marrë hua për sigurimin e terapisë e cila në një natë kushtonte gati 2 mijë euro bashkë me fjetjen, por as kurimi në të tilla kushte nuk e përmirësoi shëndetin e familjarit të tyre.

“Kërkuam në të gjithë fisin, derisa plotësuam shumën por pas 13 ditësh u detyruam ta largojmë e ta dërgojmë në spital publik. Mjekët na thanë se rrezikonte intubimin dhe ne e lëvizëm në spitalin Shefqet Ndroqi. Për 24 orë u përkeqësua dhe më shumë se 10 ditë qëndroi në intubim, pa asnjë përmirësim”, tregojnë familjarët.

Informacion i bollshëm, por terapi pa sukses

Mjekët thonë se përkeqësimi i shëndetit të 56-vjeçarit ka ardhur pas prekjes së pacientit nga fibroza pulmonare.

Nuk ka terapi specifike për covid, por prekja nga fibroza ka rënduar frymëmarrjen duke mos rikthyer në parametra normalë oksigjenin e për pasojë u desh nevoja të intubohej, i kanë thënë mjekët pneumologë të spitalit Shefqet Ndroqi, familjes së 56-vjeçarit.

Mjekët thonë se ndonëse  nuk jemi në fillimet e pandemisë dhe informacioni shkencor për trajtimin e sëmundjes është shumë cilësor dhe i bollshëm,  jo gjithmonë terapitë rezultojnë të suksesshme.

Sipas tyre, si pacienti nga Pogradeci që është mjekuar me terapi të ndryshme, por pa efekt pozitiv për koronavirusin, ka shumë dhe në disa raste ka pasur dhe humbje jete.

Ata këshillojnë që të mos neglizhohet asnjë simptomë që ngjason me prekjen nga virusi Covid 19, por të kryejnë analizat specifike që vërtetojnë prekjen nga virusi.

Në disa raste, megjithë kapjen në kohë dhe nisjen e kurës menjëherë, për shumë pacientë terapia nuk ka funksionuar si rasti i pacientit 56-vjeçar.

Mjekët thonë se sëmundjet kronike si diabeti rëndojnë gjendjen shëndetëore të pacientëve të prekur nga covid cka e bëjnë shumë të vështirë përmirësimin, megjithë mjekimin cilësor.

Covid dhe rrënimi i ekonomisë familjare

Të kesh sot familjarë të sëmurë me covid në shtëpi, do të thotë të përgatitesh për shpenzime marramendëse që tejkalojnë disa herë buxhetin e një familje me të ardhura mesatare.

Problem mbeten moshat e treta të cilat rëndohen edhe më shumë për shkak të bashkëjetesës me sëmundje  kronike si hiperensioni, diabeti apo veshkat e zemra.

Megjithëse në shërbimin parësor ofrohet analiza e check-upit, pas një viti poshtuajse pezullim i këtij shërbimi, analizat specifike të covid vijojnë të kryhen në laboratore private.

Kjo për shkak se mungojnë fashat e orareve në sistemin publik parësor dhe sëmundja kërkon që diagnostikimi të kryhet sa më shpejt.

E njëjta gjë ndodh me tamponin PCR që në shumë raste, detyrohesh ta kryesh në klinika private pasi në sistemin publik, datat e kryerjes së tij nuk janë të afërta.

Për të mos llogaritur koston e mjekimit e cila në një rast jo të rëndë të koronavirusit, kapërcen shumën 600 mijë lekë.

Për pensionistët dhe kategoritë vulnerabël e vetmja mundësi mbetet ose shtrimi në spital (që në shumë raste refuzohet nga frika) ose hyrja në borxh për të siguruar paratë e duhura për mjekimin.

Por ndonjëherë kjo sakrificë ka rezultuar e kotë pasi pacienti megjithë shpenzimet e kryera ka humbur jetën.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë