Njerez

42 shqiptarë në zonën e konfliktit në Irak

Më shumë se 40 shtetas shqiptarë ndodhen në zonën e prekur nga konflikti i ditëve të fundit mes SHBA dhe Iranit, por asnjë prej tyre  nuk është prekur nga sulmet e deritanishme.

Ministria e Jashtme tha se vetëm një shqiptar i punësuar nga NATO është evakuar nga zona problematike në Bagdad, ndërsa personeli tjetër është i sigurt.

Në një njoftim ajo i ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve shqiptarë që të shmangin udhëtimet në drejtim të Lindjes së Mesme, në Iran dhe Irak.

“Shtetasit shqiptarë që aktualisht ndodhen në Iran ose Irak dhe qe kanë nevojë për asistencë, janë të lutur të kontaktojnë Ambasadat e Republikës së Shqipërisë në Kuvajt dhe ne Turqi”, thotë ministria.

Sipas Ministrisë së Jashtme, në Erbil të Irakut, ku ndodhet një prej bazave amerikane të sulmuara, ndodhen 30 shtetas shqiptarë. Ata janë personel civil dhe jo pjesë e misionit trajnues të NATO-s.

Mësohet gjithashtu se në kryeqytetin e vendit në Bagdad, ka 12 shtetas shqiptarë. Edhe për ta konfirmohet se nuk ka të plagosur.

I vetmi i punësuar në misionin e NATO-s, një specialist buxheti, është jashtë rrezikut pasi është evakuuar para fillimit të sulmeve nga ana e Iranit.

Më herët edhe Ministria e Mbrojtjes ka njoftuar se në Irak nuk ka personel ushtarak shqiptar.

Është ende i paqartë dëmi i shkaktuar nga sulmet iraniane, por mediat ndërkombëtare thonë se agjencitë e zbulimit të Irakut i kanë lajmëruar forcat amerikane paraprakisht, duke u dhënë mundësi të largohen dhe të strehohen në bunkerë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë