Politike

Humbja e 14 majit/ Berisha: Nuk do ta pranojmë kurrë këtë farsë elektorale

Sali Berisha me grupimin e tij, mblodhi të ashtuquajturin Këshillin Kombëtar, duke patur një moto, atë të mos njohjes së rezultatit të zgjedhjeve të 14 majit, duke e cilësuar si një farsë elektorale.

"Ne i përmbahemi statutit tonë, por gjithë duke pasur parasysh, analiza e jonë nuk mund të errësojë faktin se kjo farsë elektorale as nuk mund të njihet e pranohet. Po të pranojnë ne këtë farsë ulim kokën, futemi në tavolinë, do të bëjmë atë që nuk kemi bërë deri më sot. Bëjmë gjithçka për një front opozitar, sa më të gjerë me parti opozitare më të vërtetë. Por një front opozitar është i domosdoshëm, qoftë për përmbysjen e këtij regjimi, në një lëvizje të fuqishme demokratike e një proces zgjedhor gjithëpërfshirës opozitar, ku opozita të rikthehet në pushtet", tha Berisha në fjalën e tij.

Sakaq ai u shpreh se zgjedhjet u blenë nga kryeministri Edi Rama dhe njerëzit e tij, duke fajësuar dhe kreun e PSD-së, Tom Doshin. Duke përmendur se do të hartohet një raport që do ti dërgohet kancelarive ndërkombëtare, si pjesë e denoncimeve, Berisha akuzoi se më 14 mazhoranca përdori edhe bandat kriminale.

"E vërteta është se bandat u përdorën si faktor përcaktues në një mori qytetesh, për të diktuar rezultatin që donte Edi Rama. Edi Rama, në bashkëpunim me drejtësinë dhe policinë, bëri gjithçka për mobilizimin e bandave. I nxori nga burgjet, i kërcënoi me mandatet e Interpolit që i kërkonte, bllokoi hetimet. Operacioni ‘Metamorfoza’ është i regjistruar më 15 janar, por Pëllumb Gjoka nuk duhej të prekej se duhej të vendoste Velipojën nën pushtim. Bajri doli nga burgu dhe të tjerët u mblodhën vetëm për të diktuar rezultatin në Shkodër. Ata të cilët besojnë apo mendojnë se Edi Rama fitoi zgjedhjet, në një mënyrë ose në një tjetër pranojnë, legjitimojnë rolin e krimit të organizuar në votën e shqiptarëve dhe fatin e tyre. Të gjitha këto janë të dokumentuar në raport", tha Berisha. Për Berishën rënie e PD-së nuk ka ardhur brenda një dite, por me vite duke aluduar për bashkëpunim të Bashës me Ramën.

" Por PD ka ulur kokën, për fatin më të keq. Nuk i fitoi Rama zgjedhjet e vitit 2021. Nuk i fitoi se ndau në mes të fushatës 130 milionë euro në Durrës, Tiranë, Krujë, Lezhë, Kavajë. Por duhet bërë një punë shumë, shumë e madhe. Ideja se ky i vjedh, po ne ç’bëjmë, ne nuk i mbrojmë me armë, se ajo çon në luftë civile. Nuk jemi ne për luftë civile. Ne u dalim zot. Mbrojtja e votës është një proces dhe ky është një proces, të cilit ne duhet t’i dalim në krye", theksoi Berisha.

40 ditë analizë

Këshilli Kombëtar ka vendosur nisjen e analizës për rezultatin zhgënjyes të zgjedhjeve të 14 majit. Procesi i konsultimit me strukturat dhe i analizës së zgjedhjeve vendore të 14 majit do të nisë më 12 gusht dhe do të mbyllet në fund të muajt të shtatorit, pra do të zgjasë rreth 40 ditë. Në fund të këtij procesi, çdo degë do të dërgojë fizikisht dhe në formë elektronike përfundimet e analizës sipas formatit të përcaktuar pranë sekretariatit organizativ. Në deklaratën e Këshillit të Berishës përcaktohet se Rama është një organizatë kriminale. "PD do të bëjë çdo përpjekje për të zgjeruar frontin opozitar", thuhet në deklaratën që u lexua nga Edi Paloka.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë