Porta e Vllaznisë kishte një mbrojtje speciale në finalen e Kupës së Shqipërisë në futboll për femra. Një mbrojtje engjëllore… Ardiola Raxhimi e mbrojti kuadratin kuqeblu në “Elbasan Arena” bashkë me bebin e saj katërmuajsh.
Shumëkujt mund t’i duket një një aventurë e rrezikshme që një nënë 4-muajshe shtatzënë të luajë 90 minuta futboll, por Ardiola e shijoi atë ndeshje ndaj Apolonisë dhe atë trofe të dy zemrave të saj. Shoqet e skuadrës e surprizuan, duke i dhënë shiritin e kapitenes dhe ia lanë asaj ngritjen e trofeut të Kupës së Shqipërisë, të cilin e pagëzuan “Kupa e Ardiolës dhe bebit”. Emocione të papërjetuara më parë për vajzën 21-vjeçare nga Shkodra, por edhe për familjarët e saj që derdhën lotë gëzimi në shkallët e stadiumit të Elbasanit.
Këto emocione Ardiola Raxhimi i ndan me lexuesit e Gazeta Si, teksa rrëfen atë mbrëmje magjike të 30 korrikut. “Ishte një ndeshje e veçantë, sigurisht. Do ta kujtoj gjithë jetën, sepse kam luajtur në finalen e Kupës së Shqipërisë në muajin e 4-t të shtatzënisë. A ishte e rrezikshme? Të them të drejtën, ishte pak e rrezikshme, po e mora atë iniciativë me mbështetjen e drejtuesve dhe të vajzave që më kanë ndenjt shumë afër. Duhej kujdes që mos kisha shumë kontakte dhe ia arritëm mirë. Është e lejueshme në fakt që një lojtare të luajë futboll deri në muajin e 8-të të shtatzënisë, por nuk e di nëse vlen edhe për portieret.
Një lojtare e njohur në botë është stërvitur intensivisht deri në muajin e shtatë, unë e kam parë me video. Besoj se nuk përbën shumë problem. Kisha lexuar shumë për këtë pjesë dhe vendosa të luaj. Mjeku më tha se mund të bëj sport, por pa pas kontakte, të bëj ecje dhe vrapime të lehta. Unë e ndjeva veten shumë mirë fizikisht dhe psikologjikisht dhe falë Zotit ia arrita qëllimit”, - thotë portierja shkodrane.
Vajzat e Vllaznisë fituan 4-0 në finale. Ardiola nuk pësoi gol. Portierja emocionohej edhe më shumë teksa shihte golat e shoqeve të saj, edhe pse nuk mund të festonte si zakonisht me to. “Ishte diçka ndryshe këtë herë. Luajtëm edhe pak më parë me Apoloninë dhe barazuam 0-0, isha shtatzënë edhe në atë ndeshje, por pak muajsh më e vogël. Ndoshta ishte frika se ndeshja mund të shkonte prapë ashtu, por diferencat u panë. Shoqet gjatë gjithë kohës më inkurajonin, më thoshin të mos kisha frikë dhe i kisha gjithmonë afër, me përjashtim të momenteve kur festonin golat. Apolonia pati 3-4 raste gjatë ndeshjes, por i kalova pa problem”, - tregon më tej 21-vjeçare.
Në krah të saj, një mbështetje e madhe morale ishin bashkëshorti dhe familja. Ishin ata që ndoshta kishin më shumë merak se vetë Ardiola: “I shikoja, sepse i kisha shumë afër në shkallët e stadiumit. Sa herë që ktheja kokën nga ata, në çdo pritje që bëja, i shikoja që i kishin sytë me lot. Në fund festuan të gjitha bashkë me mua dhe kuptova që ishin lot gëzimi. Kisha biseduar me ta para ndeshjes dhe me thënë të drejtën, kishin pak frikë, por më mbështetën në çdo moment. Bashkëshorti nuk vjen nga bota e sporit, është një tifoz i madh i imi”.
Ardiola tregon edhe surprizën që i kishin bërë shoqet e skuadrës: “Vllaznia është e paparashikueshme jo vetëm në lojë, por edhe jashtë saj. Nuk e prisja që shiriti të më jepej mua dhe trofeun ta ngrija unë. Dija që ndeshja do të më dedikohej mua, sepse ashtu më thanë para ndeshjes. Pastaj më thanë “Kupa është për ty dhe për bebin tënd”. Kisha dasht me i falenderu pa masë shoqet e skuadrës. Është një ndjenjë që nuk e përshkruaj dot me fjalë”.
Portierja e Vllaznisë dhe e Kombëtares detyrimisht do të shkëputet nga futbollit deri në fund të vitit dhe gjithçka po e përjeton me shumë sportivitet. “Kam 5 vjet te Vllaznia dhe në çdo moment kam qenë titullare. Me ndihmën e Zotit, në fund të vitit do të lind dhe tash jam duke e lënë sportin për pak muaj. Do të humb Ligën e Kampionëve me Vllazninë dhe fazën e parë të sezonit të ri, por në të dytën besoj se do të jem gati”, - thotë plot bindje Ardiola. Pasioni i saj për futbollit kuptohet qartë në çdo fjalë që thotë.
Ka 5 sezone që luan futboll, e ka nisur tek ekipi “The Dor” e tani po kalon momente të arta me Vllazninë. Trofeu i fundit është ai më i bukuri, pa diskutim, është ai i dy zemrave të Ardiolës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.