Njerez

32 mijë ukrainas erdhën në Shqipëri pas nisjes së luftës, por shumica ikën. Problem akomodimi dhe komunikimi

Nga Gazeta 'SI' - Nga nisja e luftës më 24 shkurt deri më 31 dhjetor 2022, në Shqipëri kanë hyrë 32 mijë ukrainas, nga të cilët 29 mijë janë larguar. Në fund të dhjetorit, vetëm 2.5 mijë ukrainas gjendeshin në Shqipëri, pasi ishin larguar nga lufta në vendlindjen e tyre.

Kështu raporton Organizata Ndërkombëtare e Migracionit, IOM, pas një ankete të zhvilluar.

Raporti tregon se numri mesatar i anëtarëve të familjeve që kanë zgjedhur Shqipërinë, është 3 dhe shumica gra.

IOM raporton se qytetarët ukrainas e kanë pasur të vështirë qëndrimin në Shqipëri për shkak të akomodimit jo të përshtatshëm, pasi nuk kanë ngrohje të mjaftueshme.

Gjuha, mundësitë e komunikimit me familjarët dhe asistenca me dokumenta apo konsulencë ligjore janë nevojat kryesore të refugjatëve ukrainas në Shqipëri. Ata kërkojnë një qendër ukrainase, ku mund të bëjnë takime, informohen, të organizojnë evente dhe të njohin kulturë lokale.

Qeveria shqiptare u ka dhënë të drejtën e qëndrimit në Shqipëri shtetasve ukrainas deri në një vit pa pasur nevojë për leje qëndrimi. Kjo ka bërë që vetëm një pjesë e vogël e tyre të aplikojnë për qëndrim të përkohshëm.

80% e refugjatëve që hynë në Shqipëri,  ishin ose të punësuar ose të vetëpunësuar përpara se të largoheshin nga Ukraina, me 40% të punësuar ende në kohën e anketimit nga IOM. Megjithatë, pothuajse 2/3 e të intervistuarve deklaruan se po planifikonin të kërkonin punë në Shqipëri.

Niveli i arsimimit në mesin e të intervistuarve ishte i lartë, 2/3 deklaruan se kishin diplomë Master ose PhD.

Pesë rajonet kryesore të origjinës ishin qyteti dhe rajoni i Kievit, Kharkiv, Dnipropetrovsk, Mykolaiv dhe Zaporizhzhia, që përbëjnë mbi 80% të të anketuarve.

Mbi 80% e atyre që kanë fëmijë deklaruan se fëmijët e tyre po ndiqnin shkollën, por shumica marrin arsim online nga Ukraina.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë