Joe Biden u betua si presidenti i 46-të i Shteteve të Bashkuara duke premtuar unitetin si recetën më të mirë për të kapërcyer ndasitë mes popullit amerikan.
“Betohem solemnisht se do ta përmbush me besnikëri detyrën time si president i Shteteve të Bashkuara dhe se do ta ruaj dhe mbroj më së miri Kushtetutën e Shteteve të Bashkuara”, tha kreu i ri i Shtëpisë së Bardhë gjatë ceremonisë në Kapitol Hill, i cili ndryshe nga tradita, ishte pothuajse i zbrazur, jo vetëm për shkak të pandemisë, por edhe frikës së trazirave e protestave.
Në fjalën e tij të parë si president i vendit më të fuqishëm të botës, Biden u kërkoi të pranishmëve të mbajnë një moment heshtjeje për ata që kanë humbur jetën nga Covid-19.
Në një ceremoni të pazakontë, mes mijëra trupave ushtarake, Biden mori betim nga Kryetari i Gjykatës së Lartë John Roberts, duke marrë drejtimin e vendit në një kohë përçarjesh të thella dhe krizash të vështira.
Ky moment ka ardhur pas një kohë të gjatë priteje për presidentin e 46-të të Amerikës. 78-vjeçari u fut për herë të parë në Kapitol si senator nga Delaware në 1972. Joe Biden kandidoi për president dy herë, në 1987 dhe 2008, para se të bëhej zëvëndëspresident gjatë dy mandateve të Barack Obamas.
Joe Biden tha se Amerika do t'i jepte një shembull pozitiv botës nën udhëheqjen e tij si president. "Ne do të udhëheqim jo thjesht nga shembulli i fuqisë sonë, por nga fuqia e shembullit tonë," tha Biden.
Duke pranuar kohët e vështira përpara ndërkohe që bota vazhdon të luftojë me koronavirusin, Biden tha, "Njerëz, kjo është një kohë e provave."
"Ne do të gjykohemi, ju dhe unë, nga mënyra se si i zgjidhim këtë krizë katastrofale të epokës sonë”, u shpreh ai.
Në fjalimin e tij të inaugurimit, ai ka përshkruar sfidat më të mëdha me të cilat përballet presidenca e tij, një pandemi shkatërruese, humbje masive të vendeve të punës, një mjedis i kërcënuar dhe ringjallja e ekstremizmit politik. Por në fjalimin e tij të parë si president ai ka ofruar një recetë gjithëpërfshirëse: unitetin.
"Pa unitet, nuk ka paqe, vetëm hidhërim dhe armiqësi," tha ai. "Ky është momenti ynë historik."
Biden po bëri thirrje për më shumë respekt reciprok në shoqëri, duke thënë se uniteti është i domosdoshëm për madhështinë amerikane.
Joe Biden gjithashtu përdori fjalimin e tij përurues për të bërë një premtim për aleatët globalë të vendit, pas katër viteve të agjendës së Donald Trump "Amerika e para".
"Ne do të fuqizojmë aleancat tona dhe do të angazhohemi me botën edhe një herë, jo për të përmbushur sfidat e djeshme, por sfidat e sotme dhe të nesërme", tha presidenti i ri.
Biden dënoi protestuesit e Kapitolit të cilët hynë në Kongres për çertifikimin e kongresit të fitores së tij në zgjedhjet presidenciale. “Nuk ndodhi. Kjo nuk do të ndodhë: as sot, as nesër, as kurrë, ”tha presidenti.
Biden gjithashtu u zotua të ishte një "president për të gjithë amerikanët", përfshirë ata që nuk e mbështetën.
"Uniteti është rruga përpara", vazhdon ai. "Forcat që na ndajnë janë të thella dhe ato janë reale - por nuk janë të reja. Engjëjt tanë më të mirë kanë mbizotëruar gjithmonë", thotë presidenti i ri, duke përmendur momente nga historia e SHBA si Lufta Civile.
"Historia, besimi dhe arsyeja tregojnë rrugën e unitetit," thotë ai.
Ceremonia inauguruese përfundoi me një bekim nga predikuesi Silvester Beaman. Duke i bërë jehonë temës së unitetit në fjalimin inaugurues të Joe Biden, Beaman tha, "Ne do të bëjmë miq, armiqtë tanë".
Biden përfundoi fjalimin e tij pas rreth 21 minutash, duke shënuar një fjalim përurimi mjaft të shkurtër. Biden më pas u largua nga ceremonia dhe përqafoi një nga paraardhësit e tij, Barack Obaman.
Para Biden u betua zëvendëspresidentja e re e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Kamala Harris. Në mesditë Harris u bë zyrtarisht gruaja e parë me ngjyrë dhe e para zëvendëspresidente nga Azia Jugore.
Ajo u betua nga gjyqtarja e Gjykatës së Lartë Sonia Sotomayor.
Nënpresidenti në largim, Mike Pence ka marrë pjesë në inaugurim, ashtu si edhe ish presidenti Barack Obama më gruan e tij, Michelle, ish presidenti George W. Bush me gruan e tij Laura, dhe ish presidenti Bill Clinton dhe ish sekretarja e Shtetit Hillary Clinton.
Joe Biden ka marrë llogarinë në Twitter të presidentit amerikan, e njohur si @POTUS dhe ai përdori postimin e tij të parë për të premtuar "veprim të guximshëm dhe lehtësim të menjëhershëm për familjet amerikane".
"Nuk ka kohë për të humbur kur bëhet fjalë për të trajtuar krizat me të cilat përballemi," tha presidenti i ri. "Kjo është arsyeja pse sot, unë jam duke shkuar në Zyrën Ovale për të marrë të drejtën për të punuar për lehtësim të menjëhershëm të krizës për familjet amerikane."
Para marrjes së detyrës, zoti Biden dha një mesazh uniteti, posaçërisht për nevojën e bashkimit për t'u përballur me sfidat e shkaktuara nga pandemia që u mori jetën 400 mijë vetave në Shtetet e Bashkuara dhe shkaktoi shumë vështirësi ekonomike.
"Duhet të kujtojmë. Ndonjëherë është e dhimbshme të kujtosh, por kështu rimëkëmbemi. Është e rëndësishme ta bëjmë një gjë të tillë si komb," tha zoti Biden të martën vonë ndërsa bashkë më zonjën Harris udhëhoqi një ngjarje përkujtimore para Memorialit të Linkolnit për ata që kanë vdekur. Rreth 400 drita u ndezën rreth Pishinës Reflektuese.
Ai më vonë u zotua të "fillojë menjëherë nga puna”, duke thënë se “nuk kemi asnjë sekondë për të humbur kur bëhet fjalë për të trajtuar krizat me të cilat përballemi si komb".
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.