Biznes

“300 mijë vetë do të humbin punën shumë shpejt, ndërhyni urgjent”

Përmes një letre të hapur drejtuar kryeministrit Edi Rama, Ines Muçostepa në emër të Bashkimit të Dhomave të Tregëtisë dhe Shoqatave të Biznesit i kërkon atij dhe qeverisë që të ndërhyjë sa më shpejtë me masa shpëtimi për biznesin sa nuk është vonë.

Muçostepa thotë se situata e biznesit mund të dalë shumë shpejt jashtë kontrollit që do të çojë në kolaps të ekonomisë nëse nuk merren masa të menjëhershme. Nga një vlerësim thotë ajo, parashikohen të humbin punën menjëherë dhe shumë shpejt 300 mijë njerëz.

LEXO EDHE:
Biznesi bëhet bashkë: Po falimentojmë, t’i rikthehemi normalitetit, qeveria të na mbështesë

“Një pjesë e sipërmarrjes është sot në punë, duke rriskuar në kosto, për të garantuar furnizimin e popullsisë me ushqime dhe shërbimet më të domodoshme, duke u bërë edhe pulsi i vetëm që rreh në ekonominë tonë. Por ne duam T’ju njoftojmë se masat shtrënguese kanë prodhuar një situatë më shumë se të rëndë në biznes. Nëse nuk ndërhyhet, ne parashikojmë një kolaps të sigurtë të ekonomisë sonë, duke prishur shumë ekuilibra të brishtë të ndërtuar deri tani. Sektorë si turizmi, transporti, bujqësia, agropërpunimi etj, janë thuajse të falimentuar”, thuhet në letrën drejtuar kreyministrit.

Sipas të dhënave që përmend Muçostepa, gjysma e biznesit të vogël është mbyllur. Rreth 30% e ndërmarjeve të mesme e të mëdha janë të mbylluara. Rreth 40%  të bizneseve që janë ende në punë, kanë shënuar një rënie mbi 30% të të ardhurave mujore, duke shkurtuar për pasojë mijëra vende pune.

Ashtu si mjekët dhe infermierët që përpiqen çdo ditë të shpëtojnë jetë njerëzish, citon Muçostepa në letër, ne po përpiqemi të shpëtojmë jo thjeshtë sipërmarrjet tona, por ekonominë kombëtare. “Biznesi shpreson që pandemia shëndetësore të mos shndërrohet në pandemi ekonomike dhe sociale. Ne nuk duam të krijojmë panik, por duam t’ju informojmë se parashikimet tona janë të zymta për ekonominë, nëse nuk ndërhyhet seriozisht, sinqerisht, me forcë dhe shumë shpejt. Ne nuk kemi si qëllim të përfitojmë, por të mbajmë në këmbë sipërmarrjen private, e cila ushqen buxhetin e shtetit me taksa”, thuhet në letër.

Më datën 3 prill sipërmarrësit privatë të grupuar në Bashkimin e Dhomave të Tregëtisë dhe Shoqatave të Biznesit i dërguan qeverisë një paketë propozimesh me kërkesa për të shpëtuar sipërmarrjen në këtë kohë emergjence shëndetësore dhe ekonomike.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë