Biznes

30% e fasonit tekstil dhe 98% të këpucëve janë mbyllur

Bankat u kanë refuzuar kredinë sovrane. Skenari më pozitiv, post-kriza zgjat 2 vjet. Rimëkëmbja pas frymëmarrjes së Europës

Sabina Veizaj - Sektori fason po vuan, por ka shpresë rimëkëmbjeje nëse hapja e përgjithshme ndodh shpejt.

Me normalitetin e ri - thotë Florian Zekja - kryetar i Dhomës Kombëtare të Prodhuesve të Veshjeve, njerëzit nuk do të mendojnë më për të blerë një bluzë, por për një maskë.

Thënë këtë, sektori i modës do të pësojë një goditje shumë të rëndë, pasi kontratat do të devijojnë nga tekstilet drejt produkteve mbrojtëse, “por për fasonët do të ketë punë në skenarin pozitiv nëse hapja do të vazhdojë dhe do të jetë e qendrueshme”.

Florian Zekja, kryetar i Dhomës  Kombëtare të Prodhuesëve të Veshjeve

Por aktualisht sipas Zekjas gati 30% e fasonëve janë të mbyllur dhe presin të hapen sapo Italia të hapet tërësisht, megjithatë ky sezon dhe dy vite më pas do të vuhet kriza në sektorin fason sipas tij.

“Problem për ne është 2021-ishi. Fabrika ime punon për Max Mara. Prodhimi për dimrin është ai që është, janë ezauruar kontratat, sepse moda punon shumë në avancë për sezonet. Shitja për 2021 do të jetë shumë problem. Vera e 2020-ës ose nuk ka shkuar nëpër dyqane, ose edhe nëse ka shkuar në pak të tillë, dyqanet janë të mbyllura. Dhe në 2021 do të ketë ende stok të 2020 dhe parashikojmë një rënie drastike të shitjeve. Prandaj them në rastin më më të mirë sektori do ta vuaj krizën edhe dy vite më mbrapa”, shprehet Zekja nga Dhoma  Kombëtare e Prodhuesve të Veshjeve.

Ndërkohë që vazhdon të ketë kërkesë të madhe nga Gjermania për produkte mbrojtëse si maska, por një problematikë që nxjerrin sipërmarrësit fason në këtë drejtim është neglizhenca dhe vonesa e Minsitrisë së Shëndetësisë për leje eksporti të produkteve mbrojtëse mjekësore.

“Kam ditë që kam bërë  kërkesën dhe mezi e kam marrë. Është krejt një procedurë formale, por që ne na penalizon dhe na shton ngarkesën psikologjike dhe praktike. Teksa puna po bie gjithandej dhe ekonomitë janë në rrezik, ndërkohë që ne gjejmë punë, për një burokraci banale, mbetemi në pritje. Unë e mora lejen, por të tjerë nuk e kanë marrë dhe po ju vonohen dërgesat”- thotë një sipërmarrës fason për gazetën “Si”.

Ai tregon se ka lidhur kontratë me një kompani gjermane për të prodhuar maska pambuku.

“Në Gjermani është i detyruar përdorimi i maskës si ndër njerëz në rrugë dhe kudo, po ashtu edhe në punë, prandaj ka shumë kërkesa dhe me këtë normalitet të ri do të ketë shumë punë”, thotë sipërmarrësi fason.

Kurse në sektorin fason të prodhimit të këpucëve situata paraqitet akoma më e errët.

Donika Mici një nga prodhueset më të mëdha në Shqipëri të këpucëve për eksport thotë për Gazetën “Si” se rimëkëmbja e sektorit që ajo përfaqëson varet nga rimëkëmbja e Europës.

Donika Mici, sipërmarrëse në sektorin e prodhimit të këpucëve

Tek sektori fason i këpucëve znj. Mici pohon se prodhimi ka rënë 98%, “vetëm 2 % po punon”.

“Prodhimi i këpucëve është ndryshe nga prodhimi i tekstileve. Është pothuajse e pamundur për t’u përshtatur sepse investimi në makineri që ne kemi bërë është enkas për këpucët që prodhojmë, kurse këpucët e suhtrisë dhe mjekësisë janë plastike. Do të na duhet investim kolosal për t’u përshtatur, që nuk është mundësia”- shpjegon znj. Mici e cila vëren që edhe garancia sovrane nuk ka qenë për fat të keq sipas saj ndihmë për të shpëtuar biznesin shqiptar në këtë kohë krize.

Donika Mici në fabrikë

“Kanë aplikuar për kredinë sovrane 470 biznese. Vetëm 70 kanë përfituar që u janë miratuar kreditë. Unë nuk isha ndër këta 70, mu refuzua dhe asnjë sqarim; thjesht nuk plotësoni kushtet. Si ti plotësoj unë kushtet në këtë kohë krize kur nuk ka likuiditet? Kredia sovrane është e shtrënguar dhe kanë vënë lupën, më shumë se kur merr vetë një kredi”- tregon sipërmarrja Mici.

Me hapjen e ekonomisë pas krizës, ajo mendon se Europa në sektorin ku ajo bën pjesë do të punoj me kontrata të reduktuara deri sa të rimëkëmbet. Kontratat thonë ajo do të jenë deri në 70-80 % të kapacitetit.

Ndërmarrjet e rregjimit të përpunimit aktiv (fasonët) përbëjnë një numër zyrtar prej 762 kompani dhe, sipas tatimeve punësojnë 68 mijë individë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë