Lajme

3 viktima dhe 90 raste të reja. Edhe një fëmijë 2 muajsh i prekur nga Covid-19

Tre viktima dhe 90 raste të reja nga Covid-19 në 24 orët janë konfirmuar në Shqipëri duke e bërë situatën alarmante nga dita në ditë.

Ministria e Shëndetësisë njofton se një 57 vjeçar nga Shkodra, një 65 vjeçar nga Tirana dhe një 76 vjeçar nga Durrësi, me disa sëmundje bashkëshoqëruese kanë humbur jetën në spitalin infektiv.

Ndërkohë situata në infektiv vijon të paraqitet me raste të shtuara ku aktualisht po trajtohen 80 pacientë, 8 prej tyre janë në terapi intensive, ndërsa 1 është i intubuar. “Po merr trajtim spitalor edhe një fëmijë dy muajsh, i prekur nga Covid-19 nën kujdes nga stafi i pediatrisë infektive, në gjendje të stabilizuar bashkë me nënën”, tha Dr. Eugena Tomini nga Instituti i Shëndetit Publik.  

Në një intervistë për median, shefja e pediatrisë në QSUT-të, është shprehur se fëmija është shtruar të mërkurën me pneumoni dhe ka rezultuar pozitiv bashkë me nënën e tij.

“Të dy janë hospitalizuar  në pediatri për shkak të veçorisë që ka kjo moshë pasi fëmija ka nevojë të ushqehet me gji për shkak të moshës, janë në trajtim të dy palët dhe nën mbikëqyrjen e mjekëve. Për momentin deri tani që flasim, gjendja është e stabilizuar dhe që mbrëmë të dy nuk kanë referuar shifra të larta temperature” është shprehur Gjeorgjina Kuli.

Shpërndarja gjeografike e rasteve është: 35 raste në Tiranë, 12 në Krujë, 10 në Kurbin, 8 në Vlorë, 6 në Shkodër, 4 në Përmet, 3 në Pogradec, nga 2 raste në Kukës, Lezhë, Kavajë, Lushnje, nga 1 rast në Kolonjë, Vau i Dejës, Kamëz, Durrës,

Ministria e Shëndetësisë thotë se në 24 orët e fundit janë shëruar 33 qytetarë, ndërsa aktualisht janë 1088 persona aktivë me Covid-19, kryesisht në Tiranë, Shkodër, Durrës.

“Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i drejtohet me një thirrje ndërgjegjjes individuale të secilit prej jush: Tregoni kujdes me respektimin e rregullave sepse shkujdesja e vërejtur favorizon përhapjen e virusit, i cili po prek çdo moshë, pa dallim.

Përdoreni maskën kudo në ambientet e mbyllura, kur hyni në supermarket, në dyqane, në zyrë dhe në çdo ambient publik ku nuk mund të ruani distancën”, deklaron Ministria e Shëndetësisë, që i bën thirrje edhe njëherë bizneseve, të zbatojnë me korrektësi protokollet e sigurisë në punë: të dezinfektojnë ambientet, të kryejnë ajrosjen rregullisht, të përdoren maskat apo barrierat mbrojtëse në çdo subjekt shërbimi për qytetarët, siç e përcaktojnë protokollet e autoriteteve shëndetësore.

“Çdo shkelje do të konsiderohet me rrezik për shëndetin e qytetarëve dhe si e tillë do të ndëshkohet sipas ligjeve në fuqi”, tha Dr. Eugena Tomini nga Instituti i Shëndetit Publik.

“Kur dilni, qëndroni në distancë fizike prej të paktën 1.5 metër, lani shpesh duart, përdorni maska ose barriera mbrojtese, dezinfektoni objektet dhe ajrosni ambientet ku qëndroni", tha ajo.

COVID-19 – Statistika (3 Korrik 2020)

Testime totale                         28033

Raste pozitive                          2752

Raste të shëruara                      1592

Raste Aktive                             1088

Humbje jete                              72 (Qarku Tiranë 39, Durrës 12, Fier 5, Vlorë 2, Shkodër 11, Kukës 1, Elbasan 2)

Shpërndarja gjeografike e rasteve aktive sipas qarqeve:

Tiranë   409

Durrës   209

Shkodër 158

Vlorë     117

Fier              46

Lezhë    57

Korçë    32

Kukës    21

Elbasan 13

Gjirokastër 10

Berat       8

Dibër     8

Copyright ©️ Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë