Nga Gazeta Si- Era prej 10 vitesh jeton në Tiranë, në një shtëpi me qira, të cilën e paguan me punën e saj në Call Center.
28-vjeçarja ka studiuar për filozofi dhe IT, dy fakultete që i ka përfunduar njëra pas tjetrës, e megjithatë ka vendosur të punojë në Call Center.
‘Kam ardhur në 2014 në Tiranë kur fitova të drejtën e studimit në degën e Filozofisë. Nuk e doja si degë, por ishte e vetmja mënyrë për tu larguar nga qyteti im ku më mbyste tutela e prindërve. Dëshiroja të njihja botën ndaj vendosa ta kryej fakultetin edhe pse pa dëshirë”, tregon 28 vjeçarja.

Në vitet e para të fakultetit, Era nisi të punojë në Call Center për të siguruar të ardhura për veten e saj.
“Familja nuk kishte mundësi të shpenzonte për mua, ndaj mu desh të punoja që në vitin e parë të fakultetit. Atëherë ishim shumë shokë e shoqe të konviktit që punonim pasdite në Call Center. Me përfundimin e fakultetit të parë, vendosa të konkurroj për degën e IT, kësaj radhe në një universitet privat. Ndaj nuk u shkëputa nga puna, por vijova të punoj në shërbimin e klientit pranë një kompanie italiane”, tregon Era.
Në vitin e fundit të studimeve në fakultetin e dytë, Era fiton një bursë pas aplikimit për programin ‘ERASMUS’ e megjithë kualifikimet dhe rezultatet ekselente me përfundimin e fakultetit, sërish Call Center ishte e vetmja alternativë pune që i siguronte të ardhurat për të mbijetuar në Tiranë.
“Kam kërkuar punë në disa kompani në Tiranë por ajo që kam konstatuar është kohëzgjatja e punës përkundrejt një page që nuk justifikonte punën që duhet të bëja. Ndërkohë, nisa kërkimin për punë online nga shtëpia dhe aplikova në 2 kompani njëherësh. Prej 3 vitesh, punoj shërbim klienti dhe asistent virtual në 2 kompani të huaja. Pagesat që përfitoj prej tyre janë 1000 euro neto secila dhe koha e punës është 09:00-19:00 të ditës. Unë i alternoj të dyja punët pasi jam fleksibël dhe puna nga shtëpia më jep qetësi dhe të organizohem më së miri”, thotë 28-vjeçarja.
Emigrimi, ëndrra nuk mbetet në sirtar
Megjithë të ardhurat e larta nga 2 punët, të cilat shkojnë për qiranë (e rritur ndjeshëm vitet e fundit), ushqim e shpenzime për pushime, Era nuk e projekton veten në Shqipëri.

“Nuk më pëlqen të punoj në këto kushte, e ngujuar në shtëpi me 2 punë, ku e vetmja kohë e lirë për mua është pas orës 20:00, ku me thënë të drejtën nuk bëj asgjë, pasi kam nevojë të qetësohem. Nuk janë pak 10 orë çdo ditë në kompjuter”, tregon vajza e re.
Ajo çfarë sheh Era si zgjidhje për të patur një punë dinjitoze dhe një pagë që mbulon shpenzimet e saj dhe i krijon standardin për një jetë në nivelin mesatar, është emigrimi.
Vendin s’e ka zgjedhur akoma, por një gjë është e sigurt. Në Shqipëri nuk dëshiron të krijojë asgjë.
“Nuk jam e vetmja që mendoj të emigroj. Moshatarët e mi punojnë njësoj si unë, në Call Center dhe kur bisedojmë, zgjidhjen e shohim jashtë. Profesioni ynë si IT paguhet shumë më mirë dhe kërkesat janë të larta”, thotë Era.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.